Dy ditë larg nga 2 marsi, presidenti Meta me anë të një postimi në Facebook fton qytetarët të marrin pjesë në të manifestim. “Të dashur qytetar i paduruar për t’u bashkuar edhe unë me ju më 2 mars për pranverën kuqezi”, shprehet në videomesazhin e tij. Në mënyrë figurative kreu i shtetit ka ngritur dy gishta lart, që janë simboli i lirisë dhe demokracisë, që përdoret nga PD-ja, e dhe pse ky gjest lidhet simbolikisht me datën kur zhvillohet protesta.
Ndërsa zëdhënësi i presidentit Meta, Tedi Blushi me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se “ky është Manifestim, jo për dhunë ndaj institucioneve, por kundër dhunës sistematike që një grup puçistësh ushtrojnë ndaj Kushtetutës dhe të drejtave tuaja kushtetuese”.
Gjithashtu Blushi shkruan se për mbarëvajtjen e Manifestimit do të ketë 3 mijë aktivistë me shirita kuqezi. “Ju ftojmë të shmangni çdo incident dhe provokim nga cilido, dhe përdorni celularin tuaj për të regjistruar çdo gjë”, thekson zëdhënësi, duke bërë të ditur se ka vendosur tre numrat e telefonit të këshilltarëve të Presidencës Ylli Allsani, Dedë Prenga dhe Shemsi Prençi si grupi i organizatorë i protestës së 2 marsit.
Tubimi i 2 marsit do të zhvillohet pasdite në ora 17:00 dhe se për këtë thirrje janë përgjigjur pozitiv liderët e dy partive kryesore të opozitës, Lulzim Basha i Partisë Demokratike dhe Monika Kryemadhi e LSI-së. Këto dy parti kanë udhëzuar krerët e degëve që të sjellin sa më shumë pjesëmarrës nga rrethet në këtë tubim të thirrur nga presidenti. Më herët në një postim tjetër në rrjetet sociale, Meta u shpreh se koha që sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës. “Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër" theksoi presidenti.
Rama reagon: S’kam kohë për të humbur me Metën
Për manifestimin e 2 marsit ka reaguar për herë të parë edhe kryeministri Edi Rama, si dhe për akuzat e lëshuara nga kreu i shtetit në adresë të tij për grushtin e shtetit. Kryeministri duke folur në konferencën për rindërtimin e banesave në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit refuzoi të komentojë edhe për manifestimin e 2 marsit të thirrur nga kreu i shtetit, duke shprehur se është luks i madh për të, të merret me presidentin.
“Presidenti e ka shtëpinë më shumë se një shtëpi, unë jam këtu për ata që jetojnë në çadra apo jetojnë në shtëpitë e të tjerëve. Për ata jam unë këtu jo thjesht në këtë konferencë, por në të gjitha orët e ditës time me gjithë natën, kështu që ua kam lënë juve çështjen e presidentit, është luks i madh për mua te merrem”, theksoi Rama. Kreu i shtetit më 2 mars ka paralajmëruar se do të firmosë dekretin me të cilin ai synon t’i japë një përgjigje grushtit të shtetit. Kjo duke nënkuptuar se do të kthejë mbrapsht ligjin që ia heq kompetencën për betimin e anëtarëve nëse Presidenti nuk e realizon brenda një afati 10 ditor. Ndërsa ka paraqitur një kallëzim penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani dhe ministres së Drjetësisë, Etilda Gjonaj, si dhe dy zyrtarëve të tjerë, duke i akuzuar si shkelës të ligjit dhe duke i etiketuar si “puçistë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.