Politike

Meta mbështet Berishën: Basha të votohet për të rifituar legjitimitetin në krye të PD

Presidenti Ilir Meta tha se nuk synonte që të bëhej palë në konfliktin mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për kontrollin e Partisë Demokratike, por gjatë komentimit të ngjarjeve që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas 8 janarit, Presidenti u anua nga ish-Kryeministrit.

Në më shumë se një rast, Meta e vuri theksin gjatë fjalës së tij te institucioni i votës dhe i bëri thirrje Lulzim Bashës që të rifitojë legjitimitetin në krye të partisë më të madhe të opozitës përmes votimit në bazë.

“Ky i fitoi zgjedhjet kur kishte mbështetjen e Sali Berishës, Flamur Nokës, Belind Këlliçit, Albana Vokshi, Edi Palokës e të tjerëve. Tani, për një arsye a për një tjetër s’e ka më këtë mbështetje, ndaj duhet të legjitimohet”, tha ai.

Në dy raste, Meta i këshilloi Bashës shembullin e ndjekur nga roja e godinës së Partisë Demokratike, që dha dorëheqjen.

“8 janari pati edhe zhvillime pozitive, dorëheqjen e rojes së godinës që dha shembullin se cila është rruga e zgjidhjes”, tha ai.

Si shembull të dytë, Meta i dha Bashës përvojën personale kur u dorëhoq në 2002 pas përplasjeve të brendshme me Fatos Nanon. “U largova për hir të reformave të integrimit që ishin bllokuar jo për fajin tim, por për faj të Fatos Nanos”, tha ai.

Sa i takon dhunës, Meta dënoi të dyja palët, megjithëse edhe këtu peshorja anoi më shumë nga Basha. Ai tregoi para mediave foto të personave të maskuar brenda selisë së Partisë Demokratike, që rrodhën në rrjetet sociale para 8 janarit.

“Nuk mbrohet selia e partisë me dhunë”, tha ai.

Presidenti hodhi poshtë akuzat se ka mbështetur dhunën e protestuesve të Berishës dhe si “provë” për këtë solli një komunikim me mesazhe me deputetin e PD-së, Belind Këlliçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë