Çfarë e lidh kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese me ngjarjet e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike?
Lidhjen mes tyre e zbuloi Presidenti Ilir Meta në konferencën për shtyp të thirrur këtë të premte. Kreu i shtetit tha se për të dyja rastet thelbi i konfliktit është vota e lirë, transparente dhe sovraniteti i qytetarëve shqiptarë.
“8 janari nuk është thjesht një përplasje mes Bashës e Berishës. Është shfaqje e degradimit të politikës në këto muaj e vite, ku është goditur institucioni i votës”, deklaroi Meta.
Në lidhje me kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e tij, për të cilën Kushtetuesja do të mblidhet më 8 janar, Meta përsëriti qëndrimin, edhe institucional që ka mbajtur se ka ‘zero’ çështje në gjykim ndaj tij.
Meta nënkuptoi se mund të thërrasë sërish protesta, por jo për të mbrojtur karrigen e vet si President.
“Problemi në Shqipëri është vota e lirë. Ilir Meta nuk ka ndërmend që për karrigen e Presidentit të thërrasë popullin shqiptar. Ama për të mbrojtur votën e lirë, për të zbardhur deri në fund aferat kriminale qindramilion eurosh…se këto janë problemi kryesor. Ato që ndodhin te selia (e PD) janë përpjekje të stisura për të shmangur vëmendjen nga vjedhja dhe grabitja që po i bëhet popullit të Shqipërisë. Asnjë shqetësim për atë çështje, ka Gjykatë Kushtetuese në Shqipëri, ka edhe gjykata europiane”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.