Politike

Meta ktheu Kodin Zgjedhor, Hajdari: Ta shfrytëzojmë këtë mundësi në Këshillin Politik

Gazeta Si

Rudina Hajdari kërkon mbledhjen e Këshillit Politik për të përfituar nga vendimi i Presidentit Ilir Meta, që riktheu ndryshimet në Kodin Zgjedhor si antikushtetuese dhe në kundërshtim me standardet e praktikat më të mira ndërkombëtare, për të diskutuar sërish për çështjen e hapjes së listave.

Përmes një letre drejtuar përfaqësuesit të PS-së, Damian Gjiknuri dhe atyre të Opozitës së Bashkuar, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, Hajdari kërkon që Këshilli të mblidhet ditën e martë në orën 11:00.

“Duke shfrytëzuar mundësinë që kemi përpara, ju ftoj që ditën e martë, në orën 11:00, të riulemi në tryezë dhe të arrijmë një kompromis, ku baza duhet të jetë fuqizimi i qytetarëve duke i dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve”, thotë Hajdari.

Deputetja e opozitës parlamentare thotë se synimi i punës në Këshill duhet të jetë gjetja e një produkti final që kënaq të gjitha palët dhe jo vetëm mazhorancën.

“Në 30 vite, reformat zgjedhore në këtë vend kanë shërbyer vetëm e vetëm për të përfaqësuar interesat e pak njerëzve, duke e deformuar vullnetin e qytetarëve, duke e dobësuar fuqinë e tyre, duke deformuar kuptimin e sovranitetit të popullit e duke prodhuar si rrjedhojë kriza politike të cilat e kanë mbajtur vendin peng”, thotë ajo.

Hajdari shton se Këshilli Politik ka mundësinë që të ndalojë këtë traditë, që e cilëson si të shëmtuar dhe të ofrojë një produkt që i shërben shumicës së qytetarëve. Pranimin e kësaj oferte, Hajdari e vlerëson si test për klasën politike që vërtet ka në qendër interesat e qytetarëve dhe jo interesat e ngushta personale.

“Qytetarët shqiptarë janë duke na ndjekur me shumë vëmendje dhe jam e bindur se do ndëshkojnë rëndë ata të cilët vazhdojnë avazin e vjetër të manipulimit dhe mashtrimit për hir të pushtetit”, mbyll letrën e saj deputetja Rudina Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë