Lajme

Meta kthen në Kuvend edhe ligjin për Kadastrën: Anti-kushtetues!

Presidenti Ilir Meta ktheu për shqyrtim në Kuvend një tjetër ligj. Pas atij të Noterisë, kreu i shtetit ka dekretuar kthimin në Kuvend edhe të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij.

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se ka vendosur kthimin në Kuvend të këtij ligji, me qëllim rishqyrtimin e tij, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti", - thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën” me Kushtetutën, dhe në përfundim të shqyrtimit çmon se disa nene të veçanta të këtij ligji, bien në kundërshtim me legjislacionin bazë të së drejtës civile në Republikën e Shqipërisë; cënojnë parimin e sigurisë juridike; krijojnë tension kushtetues; si dhe nuk janë në harmoni me jurisprudencën kushtetuese.

Në këto kushte ku ligji “Për kadastrën”, parashikon referime tek një ligj tjetër, i cili aktualisht është në fazën e shqyrtimit dhe nuk është miratuar ende, rrjedhimisht që krijohet një situatë ligjore e paqartë, aspak e kuptueshme, dhe jo e qëndrueshme nga ana kushtetuese, situatë kjo e cila sjell shqetësim tek çdokush mbi mënyrën se si të drejtat e pronësisë së tyre do të trajtohen. Kjo përbën në vetvete shkelje të parimit të sigurisë juridike.

“Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e këtij ligji në frymën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe garantimit të të drejtave të pronësisë, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij, sipas këtij arsyetimi, pasi në formën e miratuar dhe referuar problematikës së konstatuar ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe juriprudenca kushtetuese”, - thuhet në njoftimin e Presidencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë