Politike

Meta kthen ligjin për sektorin minerar: Klientelist!

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për sektorin minerar, pasi sipas tij janë miratuar në mungesë transparence e konsultimi dhe shkelin një sërë parimesh kushtetuese të shtetit të së drejtës.

“Krijohen mekanizma nëpërmjet të cilave shtetit i jepet mundësia që të ndërhyjë në mënyrë disproprocionale dhe përmes një procesi të parregullt ligjor, për të ndërprerë gëzimin e të drejtave legjitime pronësore, dhe kjo, jo për një interes publik ligjërisht të justifikuar, por për favorizimin e subjekteve të tjera privatë aktiviteti i të cilëve nuk përmbush ato elementë të domosdoshëm që do mund ta konsideronin ndërhyrjen e justifikuar”, deklaron Presidenti.

Në arsyetimin e dhënë, Meta thotë se nga njëra anë të drejtat legjitime mund të cenohen padrejtësisht, ndërkohë që nga ana tjetër mund të krijohen efekte negative dhe kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit.

“Si rezultat i dëmshpërblimeve administrative apo gjyqësore që mund të prodhojë një ndërhyrje e padrejtë, jo proporcionale dhe e pamenduar objektivisht nga strukturat shtetërore”, thuhet në arsyetim.

Meta vëren se parashikimet e ligjit shtojnë rrezikun e shpronësimeve arbitrare dhe cenojnë rëndë parimin e sigurisë juridike, ndërsa duke vlerësuar përmbajtjen e tij akuzon se qëllimi i vërtetë i nismës është favorizimi i personave, apo bizneseve të caktuara.

“Nga përmbajtja e dispozitave të ligjit duket qartë se, qëllimi i vetëm për të cilin është kujdesur propozuesi i nismës (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshilli i Ministrave) dhe miratuesi i këtyre ndryshimeve (Kuvendi i Shqipërisë) ka qënë ai i krijimit të favorizimeve ligjore për subjekte private, që operojnë në sektorin minerar, pa vlerësuar si duhet dhe në mënyrë proporcionale të drejta të ligjshme të pronësisë që mund të cenohen”, deklaron Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë