Politike

Meta kthen ligjin për rajonet: Thellon edhe më shumë krizën politike

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

Ligji që ndan vendin në katër rajone territoriale, sipas Presidentit Meta, nuk mund të bëhet kurrësesi pjesë e legjislacionit.

Ligji që është kundërshtuar në vijimësi nga LSI-ja dhe më pak nga PD-ja, sipas Presidentit të Republikës, Ilir Meta, bie ndesh edhe me dy ligje; atë “Për vetëqeverisjen vendore” dhe “Për ndarjen administrativo- territoriale”

“Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga aparati i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij (neni 13 i Kushtetutës).

Këshillit të Ministrave përmes këtij ligji i jepet autoritet që të vendosë se cilat do të jenë 4 (katër) rajonet e zhvillimit dhe kufijtë e tyre. Por e drejta për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e asaj që përcakton Kushtetuta”, shkruan Meta.

Sipas tij, “një ndarje e tillë në rajone zhvillimi, kufijtë e të cilave do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, në mungesë konsultimi me banorët e secilës zonë, ka ndikim direkt në mënyrën e orientimit të politikave zhvillimore në këto zona, duke krijuar një ndarje të re, të cilën Kushtetuta, nuk e njeh”.

“Kjo ndarje antikushtetuese dhe arbitrare, kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre.

Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë.

Ky akt, miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushtetuese dhe ato në Kodin  Zgjedhor, synon parapërgatitjen e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike”, thotë Meta.

“Miratimi i ligjit, - nënvizon ai, krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor, duke anashkaluar parashikimet dhe organet e përcaktuara nga Kushtetuta”.

“Një akt i tillë, po imponohet pa asnjë konsultim, kur në dokumentacionin parlamentar deklarohet se, konsultimi është bërë në periudhën mars- maj 2020, kohë kjo kur vendi ka qenë nën efektet e aplikimit të masave të veçanta për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore...”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë