Politike

Ligji për rajonet, Meta s’e ka dekretuar ende, por LSI i paraprin: Ka qëllime elektorale

Presidenti Ilir Meta nuk e ka dhënë ende qëndrimin e tij nëse do të dekretojë ose jo ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”  (që e ndan vendin në katër rajone territoriale) e miratuar në të njëjtën ditë me ligjin tjetër që Meta ktheu sot, atë për bregun e detit.

Pas disa ditë heshtje, LSI-ja i është kthyer sërish debatit për këtë ligj, duke e vendosur në qendër të vëmendjes së saj politike.  A po i paraprin LSI-ja (përmes një shënimi të Edmond Haxhinastos) qëndrimit që Meta do të ketë ndaj ligjit? Kjo do të kuptohet shumë shpejt.

Edmond Haxhinasto, përmes një shënimi në faqen e tij Facebook,  ngre 7 pyetje për ligjin për rajonet.

“1. A është koha të bëhet një reformë e tillë në fund të mandatit të dytë të një mazhorance, kur i ka ardhur koha për të ikur...?

2. A duhen bërë reforma të tilla me konsensus bi-partizan, siç i takon gjithë reformave afatgjata, të rëndësishme edhe për integrimin e vendit, me qëllim që mazhoranca e ardhshme të mos e kundërshtojë apo abrogojë duke sjellë konfuzion institucional e humbje të mëdha energjish e financash?

3. A ka një vlerësim dhe bilanc për reformën territoriale të bërë në mandatin e parë të kësaj mazhorance, e cila pretendoi të ishte ambicioze për të ulur kostot (deri në 80 milion euro në vit), për të rritur efikasitetin e investimeve dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve?...

4. A është qëllimi kryesor i këtij ligji koncentrimi në një dorë i politikave dhe investimeve të të gjithë njësive të pushtetit vendor, duke cenuar rëndë pavarësinë e tij...?

5. A është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i konceptuar për të ndërtuar rrugë dhe ujësjellësa fshatrash, autoriteti i duhur menaxhues për zbatimin konkret të gjithë kësaj reforme, të strategjive, politika dhe investimeve?

6. Përse nuk sanksionohet në ligj struktura e institucioneve kryesore, por kjo lihet në vullnetet e Qeverisë, pra, të mazhorancës së momentit? Po ndarja rajonale, përse nuk vendoset në ligj? Apo ndarja rajonale duhet t’i shërbejë qëllimeve elektorale të momentit?

7. Dhe së fundmi, kur do të ndalojë bërja e ligjeve për interesat e ditës së mazhorancës...”, shkruan Haxhinasto.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë