Lajme

Meta: Kriza politike po dëmton turizmin

Duke e parë krizën politike nga këndvështrimi ekonomik, Presidenti Ilir Meta lëshoi alarmin se përplasjet mes palëve në Tiranë po dëmtojnë dramatikisht ekonominë e vendit në prag të sezonit turistik.

Meta ndodhej në Skrapar, ku mori pjesë në Panairin e Produkteve bio të zonës dhe nga ku ndau bindjen se shumë shpejt kjo zonë do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, jo vetëm brenda Shqipërisë, por për të gjithë rajonin.

“Por për fat të keq, kriza politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi. Efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike”, deklaroi ai.

Për këtë arsye, Presidenti kërkon që të reflektohet urgjentisht. “Përndryshe do të goditet rëndë turizmi dhe gjithë familjet shqiptare që mbështesin mirëqenien e tyre në këtë sektor kyç të ekonomisë tonë”, shkruan ai në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë