Politike

Meta kërcënon ndërkombëtarët: Do mbani përgjegjësi për paligjshmërinë

Presidenti Ilir Meta shfrytëzoi takimin me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme, Peter Szijjarto për të kërcënuar edhe ndërkombëtarët se do të mbajnë përgjegjësi nëse mbështesin mazhorancën dhe 30 qershorin si datë zgjedhjesh.

“Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane. Aktorët e brendshëm, ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar”, është shprehur presidenti Meta.

Paligjshmëri Presidenti cilëson edhe vazhdimin e përgatitjeve për zgjedhjet e 30 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që e cilësoi nul dekretin e nxjerrë prej Metës që e anulon këtë datë.

Takimi me kryediplomatin hungarez mbërrin një ditë pasi Ilir Meta doli para mediave për të akuzuar mazhorancën se përmes shantazhit imponoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe se përmes propagandës po e paraqet këtë vendim si rrëzim të dekretit të tij.

Meta tha se dekretin e tij mund të rrëzojë vetëm Gjykata Kushtetuese, ndërsa mohoi zërat për dorëheqje, duke u shprehur se do të qëndronte në këtë detyrë deri në fund të mandatit, madje do të udhëhiqte edhe betejën, sipas tij, për ringritjen e republikës. Meta tha se vendi rrezikon të kthehet në koloni të një fondacioni ndërkombëtar. Ai nuk e përmendi emrin e fondacionit për lehtësisht mendohet se bëhet fjalë për Fondacionin Soros. Hungaria dhe kryeministri Viktor Orban i hapën luftë këtij fondacioni, madje duke ja mbyllur zyrat në Budapest.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë