Politike

Meta kalon në heshtje 6 ligjet e Paketës Fiskale

Nga Bledar Hoti - Presidenti Ilir Meta nuk shprehet për të gjitha ligjet e Paketës Fiskale të miratuara në Parlament më 3 dhjetor, duke bërë që një pjesë të tyre t’i miratojë në heshtje. Edhe pse ka kaluar afati prej 21 ditësh, kreu i shtetit duket se ka preferuar t’i kalojë në heshtje gjashtë ligjet e njohura ndryshe si pjesë e Paketës Fiskale që do të zbatohen nga qeveria për vitin 2019.

Janë gjashtë ligje si “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”; “Për taksat kombëtare”; “Për sistemin e taksave vendore”; “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”; “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” për të cilat Presidenti ka preferuar t’i kalojë në heshtje. Ligjet e Paketës fiskale mësohet se i janë paraqitur Presidencës me datën 6 dhjetor për t’u shprehur për dekretim shpallje. Sipas praktikës kushtetuese, Presidenti gëzon të drejtën që për ligje të miratuara në Kuvend të shprehet me tre forma, të nxjerrë dekrete për miratimin ose për kthimin mbrapsht për rishqyrtim të ligjit, si dhe të mos shprehet, duke bërë që ligji të cilësohet i miratuar në heshtje dhe më pas botohet në Fletoren Zyrtare.

Dy ligjet e kthyera Presidenti Meta sa i përket këtyre ligjeve të rëndësishme financiare të Qeverisë pati dhënë sinjale refuzimi. Kjo ndodhi me aktin e parë të kthimit mbrapsht të ligjit “Për buxhetin e shtetit 2019”. Një veprim i paprecedent që nuk kishte ndodhur më parë që në një Parlament të kthehet mbrapsht ligji i buxhetit të Shtetit. Por këtë dekret të nxjerrë më 13 dhjetor, në ditën kur Parlamenti do të shqyrtonte nismën e deputeteve të LSI-së për ndryshimin e buxhetit të shtetit, Meta i kërkonte partive që të reflektonin mbi kërkesat e studentëve, të cilët prej ditësh po protestonin.

“Presidenti i Republikës duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe për garantimin e stabilitetit në vend, në përfundim ka vendosur, “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”. Kthimi për rishqyrtim i këtij ligji është i domosdoshëm. Qeveria dhe Kuvendi duhet të evidentojnë në mënyrë shteruese të gjitha mjetet dhe të bëjnë një vlerësim objektiv të mundësive financiare që shteti disponon për t’i dhënë përgjigje nevojave jetike të studentëve”, thuhej në argumentin e kreut të shtetit gjatë kthimit për rishqyrtim të Buxhetit.

Faksimile e dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit "Buxheti i shtetit 2019"

Ky nuk do të ishte akti i vetëm i kreut të shtetit, pasi më 20 dhjetor do të kthente mbrapsht për rishqyrtim edhe ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, si pjesë e paketës fiskale. Kontestimi kryesor lidhej me nenin 9 të ligjit, i cili parashikonte një trajtim të ndryshëm dhe diferencues. Konkretisht neni 9, i ligjit parashikon shprehimisht se: “Në nenin 38, “Dispozita kalimtare”, shtohet pika 9 me këtë përmbajtje: Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8 % do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019”.

“Nga shqyrtimi i ligjit, konstatohet se dy nga dispozita e tij, respektivisht neni 9 dhe neni 11, paraqesin problematikë, sepse të dy këto nene bien ndesh me parashikimet e Kushtetutës dhe nuk janë në harmoni me parimet e mbrojtura prej saj. Ligji duhet të realizojë një trajtim të drejtë dhe të barabartë të të gjithë individëve dhe bizneseve, me qëllimin e vetëm, rritjen e mirëqenies së familjeve shqiptare dhe jo të krijojë mundësi për trajtim të diferencuar dhe favorizues për një shtresë të caktuar të shoqërisë”, thuhet në argumentin e Presidentit. Trajtimi diferencues është cilësuar si antikushtetues, dhe kreu i shtetit e cilësoi këtë ligj si “amnisti me efekte prapavepruese”. Nga shqyrtimi që i bëhet përmbajtjes së nenit 9, rezulton se ky nen jo vetëm që nuk është në harmoni me Kushtetutën, por përkundrazi ai është në kundërshtim flagrant me parashikimet e nenit 155 të saj. Pavarësisht këtyre akteve, Parlamenti nuk i mori në konsideratë argumentet e Presidentit. Dekreti për buxhetin mori 22 vota pro dhe 76 vota kundër.

Ndërsa po në seancën e 20 dhjetorit, brenda ditës kur u shpall vendim i presidentit, Kuvendi rrëzoi dekretin për rishqyrtimin e ligjit për “Tatimin mbi të ardhurat” dhe e rrëzoi atë me 73 vota kundër. Presidenti Meta do të shprehej i çuditur për rrëzimin e këtij ligji, pasi sipas tij institucioni që ai drejton nuk u thirr për të dhënë shpjegime.

Buxheti dhe ligjet e Paketës Fiskale

“Për tatimin mbi të ardhurat”, i kthyer për rishqyrtim në Kuvend

“Për buxhetin e vitit 2019”- i kthyer për rishqyrtim në Kuvend

“Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”

“Për taksat kombëtare”

“Për sistemin e taksave vendore”

“Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”

“Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”

“Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë