Politike

Meta i përgjigjet PS-së: Kushtetutën do ta mbroj deri në fund me qetësi e shqiptari

Pas publikimit të lajmit për mbledhjen e firmave për shkarkimin nga posti i presidentit, Meta ka postuar në rrjetet sociale një takim me studentët nga trevat shqiptare të Kolegjit universitar AAB të Prishtinës.
Sot 10 qershori në historinë shqiptare njihet si dita ku u mbajta Lidhja e Prizrenit ku u vendosën edhe piketat e para për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. “Në këtë ditë të veçantë për kombin tonë, në 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, pata kënaqësinë e veçantë të zhvilloja një takim të ngrohtë e vëllazëror me një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, të Kolegjit Universitar AAB në Prishtinë. I lumtur të ndanim qëndrimin se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat”, shkruan Meta në Facebook.
Ndërsa sa u përket zhvillimeve në Shqipëri, ku kriza politike është në temperaturat më të lartë dhe tashmë ndaj presidentit po ndërmerret nisma për shkarkimin e tij, Meta ka dhënë edhe një mesazh tjetër. “Lidhur me shqetësimin e tyre për zhvillimet në Shqipëri i garantova se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari”, shprehet Meta.
Kreu i shtetit me këtë deklaratë duket se i është kthyer "kohës" kur ishte kryetar Parlamenti dhe kur përsëriste shpesh në çështje të nxehta shprehjen e tij pikante “me qetësi dhe dashuri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë