Lajme

Meta do t’i kërkojë Contes pensionet e emigrantëve shqiptarë

Burime pranë Presidencës bëjnë me dije se Presidenti Ilir Meta gjatë takimit me kryeministrin italian ditën e sotme, do të diskutojë edhe çështjen e pensioneve të emigarntëve.

Lajmin e konfirmon edhe Beskida Alikaj, drejtuese drejtuese e Patronato Inas Cisl Albania, degë e qendrës sindikale italiane në Shqipëri e cila shkruan në llogarinë e facebook të Diaspora 91’-19” se “Arritëm të flasim me një punonjës të stafit të brendshëm të presidentit të Shqipërisë, të cilës i kërkuam me këmbengulje që të fusë në rend të ditës në bashkëbisedimin që do të ketë mes presidentit tonë dhe kryemionistrit italian Conte edhe çështjen e pensioneve. Personi në staf na premtoi që e kanë shënuar në një ndër pikat që do trajtohet gjatë bisedës mes presidentit z.Ilir Meta dhe kryeministrit të Italisë z. Giusepe Conte”.

Sipas të dhënave në Shqipëri janë kthyer mbi 2000 emigrantë shqiptarë që kanë punuar në Itali, të cilët janë të moshës mbi 60 vjeç dhe kanë nisur punë në shtetin fqinj përpara vitit 1996.

Këta emigrantë dhe qindra të tjerë (ende nuk ka një shifër të saktë) nuk përfitojnë pension pleqërie në shtetin fqinj, pavarësisht se kanë derdhur kontributet për vitet e punës në anën tjetër të Adriatikut.

Kjo për shkak të një ligji të vitit 1995. E vetmja mënyrë që këta emigrantë të përfitojnë pensionin e pleqërisë që iu takon, është lidhja e një marrëveshjeje bilaterale mes dy vendeve; Italisë dhe Shqipërisë.

Grupi i emigrantëve të prekur nga kjo çështje do të protestojnë sot në mënyrë paqësore përpara kryeministrisë duke kërkuar vëmendje si nga kryeministri Rama, po ashtu edhe nga kryeministri Conte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë