Futboll

Meta dekoron Roza Haxhiun, legjendën që e la jetën në fushën e blertë

Presidenti Ilir Meta i dha sot titullin e lartë “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit” ish-futbollistit të njohur shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Meta u shpreh se ky vlerësim është në vazhdën e vendimeve të tij për të dekoruar njerëzit që ndër vite kanë bërë emër në sport, duke fituar tituj e rivalizuar në arenën ndërkombëtare.

“Është privilegj të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, një nga legjendat e sportit tonë, Abdurrahman Roza Haxhiun, ose Roza Haxhiun, siç e njohin të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët, një nga futbollistët tanë të mëdhenj dhe të paharruar, i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare për kontributin dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në pak kohë. Aq më tepër është kënaqësi, që ky vlerësim bëhet në këtë vit historik të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku familja Haxhiu, ka pasur një kontribut të veçantë”, tha mes të tjerash në ceremoni Presidenti Ilir Meta.

Roza Haxhiu, ishte një futbollist i shquar, i viteve 50-60’, spikati si njëri prej lojtarëve më të mirë pas çlirimit të Shqipërisë. Talent i rrallë, golashënues i klasit të parë me Lushnjën, Dinamon, Besën dhe sidomos me Partizanin ku u shpall 3 herë kampion kombëtar, fitues i Kupës, si edhe mori medalje të argjendë në turneun e Laipcigut. I dalluar si mesfushor me vizion të gjerë, i papërtuar, i shkathët, teknik, Roza Haxhiu, luajti edhe për ekipin Kombëtar, ku u dallua për teknikën dhe cilësitë e tij, duke u kthyer në një simbol të futbollit tonë.

Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Haxhiu vazhdoi karrieren si trajner. Vdiq në moshën 33-vjeçare në vitin 1964 për shkak të një goditjeje vdekjeprurëse në kokë. Trashëgimia e tij si sportist është e madhe. Ai është vlerësuar pas vdekjes për arritjet në karrierë. Ish-futbollisti mban titujt “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit”. Që prej fillimviteve ’90-të, stadiumi i Lushnjes mban emrin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë