Ka ndodhur

Meta dekoron kompozitorët e shquar Enver Shëngjergji dhe Zef Çoba

Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e shquar Enver Shëngjergji, si dhe kompozitorin dhe mjeshtrin e korit shkodran, Zef Çoba.

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoni, u shpreh se kompozitorët, Zef Çoba dhe Enver Shëngjergji, janë dy personalitete të shquara të muzikës shqiptare, që i kanë lartësuar me dinjitet vlerat artistike të kombit.

“Zemrat tona ngrihen peshë dhe krenaria e të qenit shqiptar, është e jashtëzakonshme, kur dëgjojmë dhe këndojmë vargjet e këngës, aq të dashur, të kompozuar nga Zef Çoba: “Xhamadani vija-vija/asht Kosova o asht Shqipnia/ rreh si zemër çiftelia/oh sa e madhe asht Shqipnia”.

Ai është gjithashtu krijues i shumë pjesëve të ndryshme vokale e instrumentale, i muzikës për teatër dhe të 16 filmave artistikë, por edhe i këngëve për fëmijë, shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet të madh.

Të paharruara janë për ne edhe disa nga perlat e fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare, ‘Vajzat e fshatit tim, ‘Nën kurorën e ullirit’ apo ‘Lulet e mollës” të kompozuara nga Enver Shëngjergji, që me një karrierë mbi 40-vjeçare, ka lënë pas një trashëgimi të vyer artistike, të vlerësuar dhe të pëlqyer nga të gjitha brezat”, theksoi Meta.

Zef Çoba është kompozitor dhe mjeshtër kori shqiptar, i famshëm për kompozimin e këngës “Xhamadani vija vija”.

Presidenti Meta me kompozitorin Zef Çoba

Ndërsa kompozitori Enver Shëngjergji për afro 40 vjet ka kontribuar me krijimtari në gjininë e këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore.

Presidenti Ilir Meta me kompozitorin Enver Shëngjergji

Është vlerësuar me disa çmime në aktivitetet lokale dhe kombëtare, ndër të cilët mund të përmendim titujt e këngëve: “Udhëtuam së bashku”, "Mbrëmja e fundit”, “Vajzat e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit”, “Lulet e mollës”, etj. Motoja e tij në krijimtarinë muzikore ka qenë mbështetja në folklorin e pasur të popullit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë