Futboll

Meta dekoron 4 ikonat e skuadrës së Dinamos

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar  4 ish-futbollistët e Dinamos për kontributin dhe suksesin e arritur gjatë viteve në futbollin shqiptar. Kreu i Shteti i dha titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Skënder Jarecit, ndërsa akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” për Vasillaq Zërin, Gani Xhafën dhe Andrea Markon.

Kreu i Shtetit i akordoi ish-futbollistit dhe trajnerit Skënder Jareci (pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” “Për kontributin e madh në zhvillimin e sportit, si një nga qendërsulmuesit më të mirë të historisë të futbollit shqiptar. Trajner strateg në drejtimin e skuadrës ‘Dinamo’ me metodat bashkëkohore, duke përgatitur breza lojtarësh cilësorë me rezultate të shkëlqyera në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” u  vlerësuan Vasillaq Zëri (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në zhvillimin e sportit, si një nga futbollistët më të shquar të ekipit ‘Dinamo’ dhe atij Kombëtar. I dalluar për talentin dhe aftësitë e tij të shkëlqyera: ‘legjendë’ e futbollit shqiptar, sportist model, burim frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj.” Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u  vlerësuan edhe Gani Xhafa dhe Andrea Marko.

“Dinamo është një nga skuadrat më të shquara të futbollit shqiptar, me një histori të jashtëzakonshme, rezultate spektakolare dhe shumë tituj kampionë, që për dekada ka dominuar jetën sportive në vend, duke u kthyer në burim krenarie dhe simbol të frymës së ekipit e vlerave më të mira sportive, – u shpreh Presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë