Lajme

Meta, Braçe dhe Veliaj bashkë në 77 vjetorin e Konferencës së Pezës

77-vjetori i Konferencës së Pezës ka bërë bashkë presidentin Meta me përfaqësues të qeverisë.
Të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar për 77-vjetorin e kësaj dite kanë qenë presidenti Ilir Meta, zv/kryeministri Erjon Braçe dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Kreu i shtetit komentoi edhe situatën politike në vend, duke e lidhur me shembullin që duhet marrë nga patriotët shqiptarë që dhanë jetën për lirinë e vendit.
“Vijmë të përkulemi me nderim në këtë vend të shenjtë për të gjithë shqiptarët sepse Peza për shqiptarët do të thotë bashkim, qëndrim, dhe besa-besë me parullën historike që lindi këtu dhe që nuk mund të mbetet vetëm histori, por që është edhe një amanet që gjithë shqiptarët të bashkohen për interesin kombëtar, pa dallim feje, ideje. Përkulemi para veprës së patriotit të paharruar Myslym Peza. Në një kohë të errët të pushtimit ishte Konferenca e parë pluraliste në vendin tonë, e cila dha mesazhe të fuqishme të patriotizmit dhe të ngritjes mbi interesat parciale për interesin kombëtar. Një ngjarje madhore që na fton të gjithëve të bashkëpunojmë sa më ngushtë, në respekt të ruajtjes së atyre vlerave e trashëgimie për ta investuar për edukimin patriotik të fëmijëve tanë”, u shpreh presidenti.
Meta u shpreh se nën shembullin e Pezës, edhe politika aktuale shqiptare duhet të bashkëpunojë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
“Peza nuk është vetëm histori, por është amaneti i gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për të realizuar vendimin madhor të konferencës së Pezës. Sot objektivi ynë kombëtar është integrimi i Shqipërisë, është koha për të mos e vonuar më këtë proces për shkak të antagonizmit politik, por është koha për të forcuar bashkëpunimin duke lënë interesat afatshkurtra të ngushta në mënyrë që e ardhmja europiane e Shqipërisë të jetë sa më pranë”, u shpreh ndër të tjera presidenti.
Ndërsa kryebashkiaku Erjon Veliaj gjatë ceremonisë tha se “ky është një moment për të reflektuar”.
Konferenca e Pezës është mbajtur më 16 shtator 1942. Në të morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër pushtuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë