Politike

Puna e SPAK dhe përplasja Meta-Gonzato: Argëtohem me deklaratat e ambasadorëve, këta nuk reagojnë kur Rama shkel vendimet e Kushtetueses

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, iu kthye qëndrimeve ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani të cilin e akuzon se bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama.

”Është atje jo për shkak të integritetit, apo vendosmërisë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta por për t’i shërbyer Rama formës”, tha Meta në konferencë për median nga selia e Partisë së Lirisë.

Ilir Meta nuk kurseu as ambasadorët.

“Të jesh ambasador e diplomat në vend është bukur, i respektojmë. E ngaqë i respektojmë shumë kujtojnë se s’kemi punë tjetër e mund të bëjmë gallatë me popullin tonë, por aq e lehtë sa është të jesh ambasador në Shqipëri aq tmerr është të jesh qytetar i këtij vendi e të mos kesh lidhje me Rilindjen e të kërkosh drejtësi në këtë vend. Janë 115 mijë dosje që nuk janë prekur me dorë e dhjetëra mijëra qytetarë parashikohet të mos marrin drejtësi sa të jenë gjallë, por për fat të mirë ka një parti si PL që do i japë fund këtij regjimi dhe drejtësinë do ta kthejë në shinat e Kushtetutës, të 140 votave e jo 69 votave me tym e flakë sic u zgjodh prokurorja  e Rilindjes dhe e partisë që e shndërroi sistemin e hetimit në një instrument për të garantuar pandëshkueshmërinë e Ramës"

Në vijim replikoi dhe me ambasadorin e BE-së Silvio Gonzato i cili kërkoi që SPAK të lihet të bëjë punën e vet e të mos ketë ndërhyrje politike.

Ambasadori i BE Silvio Gonzato i bëri thirrje sot (2 maj 2024) politikës të mos ndërhyjë por të lërë drejtësinë të bëjë punën e vet.

Gonzato nuk komentoi paraqitjen në SPAK të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për dosjen e Inceneratorit të qytetit, por nënvizoi mbështetjen ndaj SPAK dhe rolin e rëndësishëm që ka në luftën kundër korrupsionit si një ndër kriteret kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE.

" Në fakt kjo nuk ka të bëjë me temën që jemi mbledhur, megjithatë nuk e kam problem  që të përgjigjem. Ju e dini që ne nuk komentojmë për hetimet për të cilat po vijojnë gjatë punës së SPAK-ut, përveçse kur ne shprehim mbështetjen tonë për SPAK-un dhe gjithmonë ju do të më  dëgjoni se unë mbështes profesionalizmin e SPAK-ut dhe rëndësi që ka puna që bën ky instuticion.  Siç e dini sundimi i ligjit lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit te organizuar e cila ështëe edhe në thelb të punës të SPAK-ut janë pjesë e kapitujve  themelorë të BE që janë kapituj që do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit në negociatat me BE.

Prandaj është kyçe për shumë raste që të eliminohet tërësisht korrupsioni, sepse ky është një parakusht për tu bërë anëtarë në BE . Nuk do të hyj në çështjen e z.Veliaj  se SPAK po bën punën e vet. Kam besim të plotë te ta dhe ata kanë në dorë punën që po bëjnë”. ishte reagimi i ambasadorit të BE.

Po i Ilir Metes?

“Habitem që nuk kanë shqetësim këta kur Edi Rama shkel vendimet e gjykatës Kushtetuese që ka krijuar vetë, por ne jemi mësuar me deklarata të tilla dhe argëtohemi. Detyra jonë është ta luftojmë korrupsionin e Edi Ramës me të gjitha mënyrat e format demokratike e heroike" nënvizoi Meta.

“Prandaj të nderuar diplomatë të BE-së që jeni në Tiranë, Rama guxoi të vjedhë lekët e IPARDI-t dhe e bëri se kishte garanci se drejtësia e kapur prej tij nuk do të bënte asnjë hap përpara për të hetuar skandalet me fondet e IPARDI-t që në vend që të shkonin për fermerët shkuan për miqtë e krye-rilindasit. As pronat e komuniteteve fetare nuk i kanë kthyer se ia kanë dhënë miqve oligarkë, apo rastin e Himarës për të cilat rri në burg ai që e zgjodhi populli i Himarës.  Qytetarët humbën por fitoi pandëshkueshmëria e Ramës e Veliajt për të mos dhënë llogari nga korrupsioni i llahtarshëm. Kulmi i Ramaformës arrin sa Veliaj thirret në SPAK pas 4 vitesh, nga fillimi i procedimit penal nr 255 i vitit 2020 duke qenë ai iniciatori që firmosi e vodhi në aferën e inceneratorit që nuk ekziston”, tha Meta


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë