Lajme

Meta apel politikës: Reflektim dhe bashkëpunim për çeljen e negociatave

Në ditën e tretë të Samitit të Diasporës është përkujtuar 575-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës. Në fjalën e tij, presidenti Ilir Meta tha se Kuvendi i Lezhës duhet të shërbejë për reflektim dhe të lihen mënjanë interesat afatshkurtra, për hir të rrugës europiane të Shqipërisë dhe vendimit për negociatat në qershor.
“Uroj që ky Kuvend i Lezhës për mesazhin që na ka sjellë nga thellësia e historisë, që në kohët më të vështira na ka ndihmuar të gjithëve për reflektim, të na ndihmojë edhe ne këtu, për t'u ngritur mbi interesat afatshkurtra dhe të ngushta për t'i thënë një “PO” të fortë rrugës europiane të Shqipërisë, por edhe Maqedonisë në qershorin që po vjen”, tha Meta.
Meta theksoi se duhet të jemi pak më të dashur me njëri-tjetrin dhe të gjykojmë më pak, pasi vetëm të bashkuar mund të ecim përpara.
“Duhet të jemi pak më të dashur me njëri-tjetrin dhe ta gjykojmë më pak. Për këtë do të na ndihmonte thënia e Nënë Terezës: ‘Po ti gjykojmë të tjerët pa fund, nuk do të na mbetet kohë për t’i dashur ata’. Kjo është rruga e suksesit. Vetëm duke qenë të bashkuar mund të ecim përpara”, tha presidenti Meta.

Ndërkohë, në një prononcim për gazetarët për situatën politike në të cilën ndodhet vendi si dhe ftesën që kryeministri Edi Rama i bëri kreut të PD-së, Luzim Basha për dialog, Meta tha se duhet bashkëpunim për çeljen e negociatave.
“Besoj mesazhi i 2 marsit është më se aktual: Duhet të punojmë për bashkim dhe bashkëpunim, jo vetëm çdo 2 Mars e 28 Nëntor, por çdo ditë, në mënyrë që ta fitojmë mundësinë për çeljen e negociatave në qershor, bashkë edhe me Maqedoninë e Veriut”, shprehet Meta.
Sa i takon refuzimit të ftesën së kryeministrit Rama nga kryedemokrati Basha ai tha se “Nuk kam asnjë koment sot. I vetmi apel është për bashkëpunim, për bashkim, për reflektim për të parë më larg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë