Politike

Meta: Anulimi i zgjedhjeve mundësi për dialog, i gatshëm për zgjidhje të krizës

Presidenti Ilir Meta kërkon reflektim nga partitë politike për krizën politike, duke u ofruar për ndërmjetësim ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Një ditë përpara protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, dhe futjes në shqyrtim të procedurave parlamentare për shqyrtimin e nismës për shkarkimin e tij, Meta ka lëshuar një deklaratë ku kërkon që palët të reflektojnë. Për kreun e shtetit dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në fuqi dhe se duhet të flitet për një datë të re. “U bënë dhjetë ditë që është në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më datë 30 qershor, me qëllim qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike”, deklaron Meta.
Kreu i shtetit ka bërë thirrje për një maturi dhe përgjegjshmëri për interesat e larta kombëtare, si dhe vë në dukje rëndësinë e dialogut.
“Theksoj sërish se nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Sërish insistoj me forcë rëndësinë e dialogut mes palëve e njëkohësisht gatishmërinë time për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë”, deklaron presidenti.
Qëndrimi i Metës erdhi menjëherë pas fjalës që kryeministri mbajti në Parlament, ku sulmoi edhe presidentin, duke u shprehur se numri një i shtetit shqiptar po i hidhte benzinë zjarrit në këtë situatë, duke nënkuptuar dekretin e anulimit të zgjedhjeve apo dhe shkresës së dërguar për situatën në burgje.
Ndërkaq Meta ka nisur prej ditësh negociatat me disa prej partive politike për të gjetur një datë të re të zgjedhjeve, por që është ftesa e tij është refuzuar nga Partia Socialiste, duke theksuar se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë