Njerez

Mësuesi i historisë që punon vrojtues plazhi gjatë verës: Të rinjtë s’janë të interesuar shumë për një punë sezonale

Nga Gazeta Si- Ndërkohë që të rinjtë nuk janë të interesuar për të punuar si vrojtues plazhi, duket se janë mësuesit ato që kanë vendosur “të shpëtojnë” mungesën e vrojtuesve dhe pushuesit.

Luçiano Marku, instruktor i vrojtuesve të plazhit në bregdetin e Lezhës dhe anëtar i Federatës së vrojtuesve të plazhit është një nga mësuesit që gjatë verës ka vendosur të punojë si vrojtues plazhi.

“Gjatë vitit punoj si mësues historie ndërsa në verë punoj si vrojtues që prej vitit 2016 tashmë”, thotë Marku për Gazetasi.al.

Ai tregon për Gazetasi.al se ka aplikuar që në fillim të krijimit të federatës për t’u liçensuar, në fillim sepse e kishte pasion detin dhe të shpëtonte jetë.

Por nuk e përjashton as anën financiare, që është një arsye tjetër pse punon gjatë verës një punë që nuk lidhet shumë me profesionin e tij fillestar.

Luçiano Marku, instruktor i vrojtuesve të plazhit në bregdetin e Lezhës.

“Pagesa është pak më shumë se 70 mijë lekë në muaj dhe përderisa ka mundësi të punoj gjatë verës duke qenë se jam pushim, pse mos ta bëja”, thotë Marku i cili shton se mësuesit janë grupi më i interesuar për të punuar vrojtues plazhi gjatë verës.

“Grupmosha që duan të licensohen si vrojtues janë deri 30 vjec. Operojnë shumë mësuesit të cilët gjatë vitit punojnë si mësues dhe gjatë sezonit veror punojnë si vrojtues plazhi”, thotë Marku i cili shton se një nga arsyet më të mëdha është ana ekonomike.

“Për mësuesit është një pagë shtesë duke qenë se kanë mundësinë të punojnë”.

Por, nga ana tjetër, të rinjtë nuk pranojnë të punojnë me këtë rrogë, pas ‘llogarive’ që bëjnë.

“Rrogat nuk janë të mjaftueshme për rrezikun që marrin. Shumë zgjedhin të bëhen vrojtues sepse e kanë me pasion apo sepse duan të bëjnë diçka gjatë verës, diçka ekstra por ky nuk është rasti i të rinjve. Është shumë e vështirë të marrësh licencën sepse duhet të kalosh shumë provime, janë 100 orë që ndahen në praktikë dhe teori dhe të rinjtë nuk janë gati të investojnë aq shumë për një punë që paguhet pak, është sezonale dhe ka rrezik”, thotë Marku.

Por Marku, edhe pse vetëm 31 vjeç, ka zgjedhur ti bëjë të dyja punët, për të qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me punën dhe me njerëzit.

Edhe këtë vit, numri i vrojtuesve të plazhit nuk është i mjaftueshëm

Marku tregon se çdo vrojtues duhet të mbulojë vetëm 80 metra lineare dhe çdo subjekt privat ose publik e ka detyrim ligjor të punësojë vrojtues plazhi, diçka që jo çdo subjekt e bën, duke sjellë edhe mungesa, të paktën në zonën e Lezhës.

“Janë 140 vrojtues në Lezhë por duhen rreth 210 ose 240 nëse llogarisim gjithë vijën bregdetare. Një nga arsyet pse ka mungesa është sepse janë subjektet që nuk i punësojnë”, thotë Marku, duke shtuar edhe arsyet e lartpërmendura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë