Editorial

Mësimi online, vendim i trishtë që duhet shpjeguar

Vendimi për të kthyer mësimin online na shqetëson pa masë. Megjithëse mund ta rrokje me mend si një përfundim logjik pas rritjes eksponenciale të infeksionit dhe vdekjeve nga COVID-19, sërish ai është i beftë.
Vetëm pak ditë më parë u tha zyrtarisht se burimi i infeksionit i cili shton më shumë pacientët, tek shqiptarët, mbetet familja. Ky konkluzion, edhe pse mjaft i diskutueshëm, e përjashton shkollën si një burim të rëndësishëm përhapjeje ndaj të çudit si masë e dytë shtrënguese, pas të parës që reduktoi lëvizjen dhe bizneset në orët e mbrëmjes. Ndërkohë në pranverë përvoja e krijuar nuk ishte e këndshme. Mësimi online krijoi mjaft problemeve për familjet dhe kufizoi nga aksesi shtresa të margjinalizuara të shoqërisë, sidomos të varfrit që ndodhen me shumicë në zonat rurale dhe suburbane.
Atëherë Ministria e Arsimit, e drejtuar nga ministrja e vetëdorëzuar Besa Shahini, tha se nga një testim online me 350 prindër, pjesa dërrmuese ishte dakord. Por a mund të pyetet dikush që ka hipur në pemë se a di të kacavirret?! Domethënë u pyetën ata që kanë mundësi të jenë online dhe përgjigja merret me mend që ishte “po”. Duhen pyetur ata që nuk munden.
Sot, me më shumë të infektuar, pritet të jenë edhe më shumë prindër dakord. Paniku dhe kujdesi ndaj shëndetit prevalon mbi cilësinë e mësimdhënies. Por kjo nuk do të thotë që duhet pranuar çdo kosto pa ditur më parë se sa ke mundësi ta përballosh dhe ta reduktosh atë. Në asnjë rast nuk na është treguar se çfarë është përmirësuar nga mësimi online, si është rritur aksesi, a do të ndryshojnë tarifat e shkollimit, si do të paguhen mësuesit, si do të jetë cilësia e testit dhe kontrolleve të dijeve për nxënësit. A e dini që mësimi online nuk njihet ende ligjërisht?
Përpara një vendimi kaq të rëndësishëm me kaq probleme, publiku nga sjellja e të cilit varet ecuria e valës së infeksionit, (që të mos dështojmë siç dështuam me maskat me detyrim), kërkon të dijë më shumë për alternativat dhe pse u zgjodh si shpëtim mësimi online.

Gjithsesi mbetet një vendim që tenton të ulë numrat, por nuk e dimë nëse ai është i duhuri në radhë dhe më i miri, përkundrejt disa veprimeve të tjera që duheshin bërë më parë. Kjo pasi ka vende në Evropë që e kanë shmangur mbylljen e shkollave, siç ka të tjera që aplikojnë mësimin online. Cilat janë kushtet specifike të Shqipërisë që erdhëm në këtë reagim?
Megjithatë, Gazeta ‘Si” nuk e ka mohuar rëndësinë e teknologjisë dhe një shkolle digjitale, e cila nëse projektohet siç duhet, do të sjellë përfitime.
Duhet të kemi parasysh sot edhe një fakt të trishtë. Sipas studimit të fundit të INSTAT dhe UNICEF mbi “Treguesit e Mirëqenies së Fëmijëve, Adoleshentëve dhe të Rinjve në Shqipëri, 2016-2018”, gati 40 për qind e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri nuk kanë mundësi financiare të ushqehen me të paktën një vakt në ditë me proteina, mes tyre fasulet dhe thjerrëzat. Ky nivel i lartë varfërie dhe pamundësie rreth 2 vjet më parë, pa diskutim, është përkeqësuar gjatë pandemisë. Por a kanë ata mundësi në këto kushte mizerjeje e kequshqyerjeje të kenë luksin e të paktën një pajisjeje, kur madhësia mesatare e një familjeje është me dy fëmijë? Gjithashtu, a e kanë luksin e shërbimit të internetit për të zhvilluar mësimin online?
Kjo metodë do të çoj padyshim në një pabarazi sociale, e cila do t’i lerë mbrapa ata që nuk kanë mundësi të futen online, por dhe më shumë plagë afatgjata për brezat e nxënësve dhe studentëve për të cilat duhet menduar dhe treguar që tani se si do të rikuperohen. Nuk mbaron gjithçka te marrja e vendimit, por duhet të jesh i gatshëm për të paguar dhe kundërvepruar me mençuri në afat të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë