Futboll

Mesi nuk luajti në miqësoren e Hong Kongut, tifozët rimbursohen me 50% të biletës

Gazeta Si – Tifozët e Lionel Mesit, të cilët nuk mundën të shihnin në fushë idhullin e tyre në një ndeshje miqësore në Hong Kong, do të rimbursohen me 50% të çmimit të biletës me kushtin që të mos ndjekin asnjë rrugë ligjore.

Ky është vendimi që kanë marrë së fundi organizatorët e eventit. Inter Majemi luajti një ndeshje egzibicioni më 4 shkurt në Hong Kong, por Mesi qëndroi gjithë kohën në stol, sepse vinte pas një dëmtimi.

Tifozët u zhgënjyen shumë, sepse ata kishin shkuar në stadium për të parë në aksion yllin argjentinas, duke paguar deri në 4800 dollarë të Hong Kongut (570 euro).

Publiku nuk e pëlqeu aspak edhe sjelljen e Mesit, i cili nuk kërkoi ndjesë. Më pas lojtari u justifikua, duke thënë se mungesa e tij në fushë nuk kishte të bënte me “arsye politike”.

“Tatler Asia”, që organizoi eventin, ka pohuar se ata që do të kërkojnë rimbursimin e biletës, duhet të pranojnë kushtin për të mos ndjekur asnjë rrugë ligjore në lidhje me atë që ndodhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë