Futboll

Mesi dhe Suarez udhëheqin Argjentinën dhe Uruguain, me ndihmën e VAR-it

Lionel Mesi dhe Luis Suarez kanë qenë protagonistë me Argjentinën dhe Uruguain në ndeshjet e fundit. Të dy kanë shënuar me penallti dhe në të dyja ndeshjet ka pasur polemika të forta për vendimet e gjykimit, sidomos te sfida Uruguai-Kili, 2-1.

VAR-i në fakt ka marrë më shumë vëmendje se dy sulmuesit e njohur, pasi ka vendosur 2 nga 3 ndeshjet e xhiros së parë të eliminatoreve të Botërorit. Ekuadori është ankuar për penalltinë në favor të Argjentinës në “Bombonera”, ku Mesi shënoi golin e 71-të me kombëtaren. Me zë më të lartë është ankuar Kili për ndeshjen e Montevideos, duke pretenduar për një penallti të mohuar dhe një tjetër të paqenë të dhënë për Uruguain (edhe në këtë rast ishte vendimtare ndërhyrja e VAR-it).

Argjentina kthehej të luante një ndeshje pas 11 muajsh dhe nuk u paraqit në nivelin që pritej. Skuadra e Skalonit nuk shfaqi entuziazëm, duke u mjaftuar me 3-4 raste goli pas penalltisë së shënuar nga Mesi. Pa Dibalën me probleme shëndetësore dhe Papu Gomezin në stol, Argjentinës i munguan idetë dhe ritmi. Në fillim pati pretendime për një penallti të mohuar ndaj Mesit dhe më pas një penallti bujare që solli irritimin e ekuadorianëve.

Suarez shënon me penallti për Uruguain. Gazeta Si, 9 tetor 2020

Në Montevideo u luajt një ndeshje e tensionuar dhe që u vendos nga Maksi Gomez në kohën shtesë. Vendimet e arbitrit u kontestuan gjithë kohën, duke nisur nga prekja me dorë e Vegas që shkaktoi penalltinë e parë të kthyer në gol nga Suarez. Para se Gomez të shënonte golin e fitores për Uruguain, nuk u akordua një penallti e shkaktuar nga Koates. Për Kilin kishte barazuar Aleksis Sançez në minutën e 54-t, pas një asisti të Aranguiz. Ivan Xmaorano, ish-sulmuesi i njohur i Kilit, shkroi në Tuiter: “Deri kur do të vazhdojnë këto vjedhje? Kush i komandon arbitrat? Hajdutë! Ndeshja iu dhuruar Uruguait”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë