Politike

Mesazhi i Xhafajt në krah të Veliajt dhe shmangia e përballjes në PS

Ditën kur do të publikonte vendimin nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe emërimin në vend të tij të Sandër Lleshit, kryeministri Edi Rama vijoi axhendën e tij politike me strukturat e PS-së, sikur asgjë nuk kishte ndodhur brenda mureve të shtëpisë politike dhe qeverisëse.

Pikërisht nga takimi në Lushnjë me anëtarët e të rinj në PS, kryeministri Rama lëshoi një mesazh të koduar në adresë të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Ka edhe një gjë tjetër se kur hyn në ndonjë parti nuk i bën dot të gjitha siç i bëje më përpara. Unë qëkur hyra në parti hoqa dorë nga ideja se mund të shkoja në plazh nudo, se mbaroi... Po ka edhe të tjera, diskutojmë ne me njëri-tjetrin dhe ndonjëherë kështu kemi ndonjë shok që thotë se "unë jam njeri i lirë". Jo më, se nuk je njeri i lirë, je njeri i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë këtu, por nuk je njeri i lirë që të dalësh atje dhe të gjuash me gurë shtëpinë ku jemi bashkë. Në qoftë se do të dalësh të gjuash me gurë shtëpinë, ik se nuk je pjesë e shtëpisë”, tha Rama duke iu drejtuar të rinjve që u anëtarësuan në PS.

Gjithçka u hamendësua se ishte një mesazh drejtuar ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili atë ditë kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp, por kryesocialisti e kishte me personin që vijon të jetë pjesë e shtëpisë së PS-së, për njeriun që deri të shtunën ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i tij përpara se të firmoste largimin si ministër, Xhafajn.

Por pa kaluar as dy ditë nga zhurma e dorëheqjes, ish-ministri Xhafaj do të shfaqej në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë turin që të zgjedhurit lokalë kanë ndërmarrë në shkallë vendi në kuadrin e fushatës së shpallur nga partia në pushtet “E gjithë vëmendja për ju”.

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj duke folur në takimin e organizuar në Tiranë

Duket si rastësore, por pas kësaj furtune brenda PS-së, Veliaj kishte organizuar takimin në njësinë administrative numër 10 të Tiranës, ku Xhafaj është edhe deputet i zonës.

Që nga ky takim ish-ministri i Brendshëm, duke vlerësuar punën e kryebashkiakut Veliaj, lëshoi dhe mesazhe koduese si përgjigje ndaj “këshillës” së kryeministrit të dhënë nga Lushnja.

Ai tha se Veliaj kërkon një mandat të dytë jo për të qëndruar në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara misionin e tij për transformimin e Tiranës.

“Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm; ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision që duan të lenë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti dhe ky është Erion Veliaj! Katër vjet më parë na është dashur të flisnim se kush është Erion Veliaj, kurse sot nuk na duhet fare të flasim sepse ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë çfarë punësh kanë bërë dhe janë duke bërë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, CV-ja më e mirë për cilindo. Erion Veliaj hyri për një mision dhe me punë, me rezultate, me atë çfarë ka bërë, është duke kërkuar një mandat të dytë, jo për të vazhduar të qëndrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara këtë mision. Gjëja më e mirë e tij është puna”, deklaroi Xhafaj.

 Pikërisht këto fjalë dukeshin se ishin një mesazh i dërguar edhe në adresë të kryeministrit Edi Rama, i cili tashmë po ushtron mandatin e dytë qeverisës.

Largimi i Xhafajt dhe shmangia e PS

As sot dhe kësaj dite, kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë arsyet e largimit të Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Rama u mjaftua me një publikim në rrjetet sociale në Twitter, ndërsa Xhafaj duket se i qëndroi besnik asaj që i “kërkoi” kryeministri për të mos “gjuajtur me gurë” shtëpinë, duke mbajtur një reagim se e "ka dhënë vetë dorëheqjen".

“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme. Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve. Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, do të reagonte Xhafaj në Facebook.

Më pas asnjë deklaratë apo sqarim në lidhje me këtë lëvizje të bujshme, që u shoqërua me një vendosjen e një personi teknik në një qeveri puro politike.  Nuk u nuk veprua as si në shtetin fqinj, ku dorëheqja e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias u shoqërua për publikun edhe me dhënien e shkaqeve të këtij largimi.

Kryesocialisti Rama shmangu edhe thirrjen e mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së apo të Kryesisë për të paraqitur këtë lëvizje, kur kjo e fundit u thirr për “drejtorët legenë që po ia nxinë fytyrën” dhe jo më për largimin e ministrit më të rëndësishëm të një qeverie.

A ishin arrestimet dhe çështja Dako përplasja Rama-Xhafaj?

Mosdeklarimi i një arsyejeje zyrtare, motivacioni se përse u largua Xhafaj, është shoqëruar me disa opsione e aludime për ndërmarrjen e këtij vendimi. Qarkullojnë zëra se arrestimet e fundit të ndërmarra ku u prangosën dhe dy ish-deputetët e PS-së, Arben Çuko dhe Arben Ndoka, apo çështja “Dako” për të cilën opozita po e tund çdo ditë si dosja Nr. 399, mund të jenë arsyet e ndonjë përplasjeje mes Xhafajt dhe Ramës.

Rama dhe Xhafaj gjatë një seance parlamentare

Ish-ministri e dha dorëheqjen të enjten, në ditën kur mazhoranca trumbetonte me të madhe votimin e ligjit për mbylljen e kazinove e basteve sportive. Në këtë seancë, por edhe gjatë ditës së premte përflitej se ka pasur negociata për të bindur Xhafajn për të mos e dhënë dorëheqjen. Dhe në këto tratativa ka ndërhyrë edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Seanca e së enjtes në Parlament u shoqërua me mungesën e madhe të Ramës dhe të Ruçit në seancë, ku kryeministri ishte prezent vetëm ku mori fjalën disa minuta përpara votimit në seancë të projektligjit.

Ndërsa opsioni i dytë lidhet me faktorin e përplasjes brenda klaneve në PS. Fuqizimi i Xhafajt, njeriut që cilësohet si “arkitekti i Reformës në Drejtësi” dhe drejtimi më pas i Ministrisë së Brendshme, pas largimit të ish-ministrit Tahiri, si dhe mbështetja që ai kishte te faktori ndërkombëtar, duket se ka rritur pakënaqësitë brenda grupeve të PS. Pikërisht edhe propozimi për të caktuar në këtë post të rëndësishëm ministror Sandër Lleshin, një person teknik, mund të interpretohet si arsye pse Rama shmangu edhe diskutimet në forumet e partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë