Politike

Mesazhi i Edi Ramës për Erion Veliajn: Vetëm Ali Ahmeti mund të më rikthente këtu sot (Deklarata 3 ditë pas paraqitjes së kryebashkiakut në SPAK)

Politikanit më të rëndësishëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, i është dhënë titulli ‘Qytetar Nderi’ në Tiranë në një ceremoni që u organizua 3 ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj u paraqit në SPAK dhe u pyet për 7 orë nga prokurorët për herë të parë për inceneratorin e Tiranës.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili i dha një mesazh Veliajt por jo vetëm atij, se vetem Ali Ahmeti mund ta rikthente në Bashki sot, sidomos pas historisë së Veliajt me drejtësinë e që shumë kush ka aluduar nësë shefi i qeverisë e mbështet apo e ka “lëshuar”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij, u shpreh se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë dhe se është modeli i një politikani dhe aktivisti të vërtetë.

“Tirana, i ka me pikatore qytetarët e nderit, dhe sot do t’i bashkohet këtij gjerdani, kryetari ynë, lider, misionar kryemësues, Ali Ahmeti.

Disa njerëz i hyjnë politikës duke pasur ndërmend një ekskursion të shkurtër, dhe dalin pa lënë asnjë shenjë.

Disa i hynë politikë me përfytyrimin si aksesor, ku thjesht t’i shtojnë xhaketës së tyre një medalje, apo një rresht në CV e tyre, edhe këta të padukshëm dhe kollaj të harrueshëm në rrugëtimin e tyre”, tha Veliaj.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, “një shqiptar ndër më të mirët të historisë tonë kombëtare”.

Kreu i qeverisë u shpreh se është ende herët për tu shkruar historia e Ali Ahmetit, por theksoi se “është mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armëve të diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitin tonë kombëtar”.

Rama deklaroi se pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë atij shtetit.

“Sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët të historisë tonë kombëtare. Një histori e shkruar me stërmundime të jashtëzakonshme, jo vetëm për shkak të fuqive të mëdha që dikur Shqipëria ishte një shprehe e bezdisshme gjeografike, as vetëm për shkak të fqinjëve më të fuqishëm, të cilët deri jo shamë dekada më parë e shihnin shqiptarin si atavizën të padurueshëm historik në trevat e këtij rajoni provinciale, por edhe për shkak shqiptarë të këqij që armët e luftës e diplomacisë i përdornin kundër njëri tjetrit pa pasur gajlen më të vogël që mes njëri-tjetrit dhe të huajve të Zgjidhnin të huajt, Nuk besoj se një tjetër komb në Ballkan e ka vuajtur më shumë se sa shqiptarë përçarjen mes vetes, dhe mbi askënd tjetër mbi këtë lagjesh grindesh mes Evropës nuk ka funksionuar më shumë sundimi përmes përçarjes.

Ali Ahmeti është shqiptar ndër më të mirët që vite më parë iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe për të drejta të barabarta kushtetuese të vëllezërve dhe motrave tona në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut, nuk kërkoi as gjakderdhje etnike dhe as hedhjen në erë të shtetit të pavarësuar nga shpërbërja e Jugosllavisë, por vendosi në rendin e ditës së RMV domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve si një subjekt i painjorueshëm i shtetpërbërjes së shtetit fqinj", tha Rama.

Sipas kryeministrit, armët në krahun e asaj rezistence malesh nuk synojnë ndarjen e Maqedonisë, por bashkimin e saj nën të njëjtin flamur vlerash e parimesh të bashkëjetesës së popullit shqiptar e atij maqedonas.

"Është ende herët për tu shkruar historia e këtij shqiptari ndër më të mirët, por nuk është aspak herët të thuhet se është mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armëve të diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitin tonë kombëtar.

Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë atij shtetit dhe nuk do të kishin dot atë pluralizëm demokratik aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare, saqë ti lejojnë vetes shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet, duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë