Futboll

Mesazhi i Dukës: Kujdes me rregullat, keqardhje për tifozët!

Sot, ditën e rikthimit të kampionatit të Superiores pas ndërprerjes 3-mujore, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i është drejtuar botës së futbollit me një mesazh të postuar në faqen e tij dhe në atë të Federatës. Ai shpreh besimin për kalimin e situtës së vështirë që krijoi pandemia dhe i rikujton të gjithë aktorët të bëjnë kujdes me rregullat. Kreu i FSHF-së shpreh keqardhjen për mungesën e tifozëve dhe uron që futbolli të emocionojë sërish njerëzit.

Postimi i plotë i presidentit Duka:
Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit! Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19, më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit. Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive.

Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë. Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle, me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë. Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.

Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës. Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play. Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit! Suksese të gjithëve!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë