Politike

Mesazhi gjerman, Rama: S’është në dorën tonë! Basha: Gati për zgjedhje të lira

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas deklaratave të zyrtarëve të CDU/CSU-së gjermane për krizën politike, ku ata sugjeruan si pjesë të zgjidhjes edhe shtyrjen e zgjedhjeve.

Rama shkruan në “Twitter” se është dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht. “U jam shumë falënderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret, sepse 30 qershori s’është në dorën tonë”, ka shkruar Rama.

Ditët e fundit, Rama dhe Basha kanë shkëmbyer letra publike, por në asnjë pikë nuk kanë rënë dakord. Një ditë më parë, Presidenti Meta e quajti mision të pamundur uljen në tryezë të personave që nuk duan të flasin me njëri-tjetrin.

https://twitter.com/ediramaal/status/1131607110792429568

Basha: Mirëpres angazhimin, gati për zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Domkratike ka reaguar pas deklaratës së CDU-CSU-së, duke thënë se e mirëpret interesimin gjerman në këtë fazë delikate.

Përmes një statusi në Facebook, Lulzim Basha shkruan se konfirmon gatishmërinë për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë”, shkruan Basha.

Gjermanët e CDU/CSU-së, kërkuan sot dialog mes palëve pasi kjo situatë rrezikon vendin të mbyllë dyert drejt Europës.

Në mesin e deklaratës, ata sugjeruan edhe një shtyrje të datës së zgjedhjeve, për të cilën Kryeministri Rama tha më herët se “30 qershori s’është në dorën tonë”.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/2417370884980745

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë