Politike

Mes zhvillimeve në PD dhe vendimit të Kushtetueses, Meta thërret konferencë për shtyp

Presidenti Ilir Meta ka thirrur një konferencë për shtyp, ku thotë se do të jetë i hapur për të gjitha pyetjet nga ana e gazetarëve.

Konferenca pritet që të përqëndrohet te zhvillimet në kampin opozitar, ku kreu i shtetit përmes një interviste televizive i këshilloi Lulzim Bashës që të votëbesohej te anëtarësia e partisë.

Deklarata e tij shkaktoi kundërreagimin e Bashës, që përsëriti akuzën se Presidenti është njëri nga brinjët e atij që e quan “Trekëndëshi i Bermudës”. Dy brinjët e tjera, sipas Bashës, janë Sali Berisha dhe Edi Rama.

Çështja tjetër që nuk mund të anashkalohet nga ana e Presidentit është edhe 18 janari. Të martën, Gjykata Kushtetuese ka thirrur një seancë plenare për të vendosur në lidhje me kërkesën e Kuvendit që e ka shkarkuar Presidentin.

Që shkarkimi të jetë përfundimtar, kjo kërkesë duhet të vuloset nga kushtetuesja. Vetë kjo gjykatë ka njoftuar së fundmi vakancën për dy anëtarë të saj, përkatësisht Përparim Kalos dhe Altin Binajt, që u përfundojnë mandatet në prill dhe maj. Njëra prej këtyre vakancave i takon Presidentit, që ka hapur zyrtarisht garën, ndërsa tjetra ai takon Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë