Futboll

Merr fund dilema, Sadiku transferohet në kampionatin turk

Për futbollistët shqiptar, Turqia mbetet një trampolinë e rëndësishme, sepse ekipe të mëdha të Europës po hedhin sytë nga ky kampionat. Cikalleshi, Selmani apo edhe Domgjoni janë futbollistët shqiptarë që militojnë në kampionatin turk, ndërsa kësaj kolonie u është bashkuar edhe Armando Sadiku. Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të jetë pjesë e turqve të BB Erzurumspor që këtë vit do të luajnë në Superligën turke. Sadiku pritet të jetë figura kryesore e skuadrës dhe siç njofton vetë klubi në rrjetet sociale, sulmuesi do bashkohet me ekipin e ri pas ndeshjes së kombëtares kundër Lituanisë pas tre ditësh. “Kemi arritur marrëveshjen në parim me sulmuesin Armando Sadiku, i cili do t’i bashkohet skuadrës tonë, pasi të mbarojë angazhimet me kombëtaren e tij”. Detajet e kontratës së re pritet të bëhen publike menjëherë sapo ajo të firmoset nga palët.

https://twitter.com/Erzurumspor/status/1301964664486723587

Sadiku sezonin që u mbyll u aktivizua me Malagan në La Liga 2, duke arritur të shënojë 13 gola i huazuar nga Levante. Vështirësitë ekonomike, ku klubi spanjoll rrezikonte një dënim nga ana e Fair Play-t Financiar për numrin e shumtë të lojtarëve dhe duhej të sakrifikonte disa lojtarë, nuk e lejuan Sadikun të vazhdonte me këtë ekip dhe ai u kthye përkohësisht te Levante.

Futbollisti shqiptar u transferua te Levante në janar të vitit 2018 nga Legia Warsaw. Një vit më vonë ai u bashkua me Lugano dhe në shtator të vitit 2019 u la në huazim te Malaga, ku sezonin e fundit u shpall golashënuesi më i mirë i ekipit. Më parë ka qenë pjesë edhe e skuadrave si Zürich, Locarno dhe Vaduz. Ka veshur edhe fanellën e Gramozit dhe Elbasanit në dy sezone të ndryshme, 2009-2010 dhe 2010-2011.

Armando Sadiku ka luajtur me të gjitha ekipet kombëtare të moshave. Me Kombëtaren A ai numëron 37 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola, ku padyshim goli më i rëndësishëm është ai kundër Rumanisë, në EURO 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë