Ne rrjet

Merkel fton Albin Kurtin në Berlin: Rinisni dialogun me Serbinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka uruar kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti për detyrën e re dhe e fton atë në Berlin. Merkel thekson mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë për Kosovën.
Kancelarja Merkel e uron së pari përzemërsisht kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti për detyrën e re. Kështu shkruhet në një njoftim për shtyp të qeverisë gjermane të publikuar sot (e shtunë). Më tej në urimin e saj, Merkel thekson, se "para jush dhe qeverisë tuaj ndodhen detyra të vështira".

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kancelarja gjermane përmend ngritjen e forcimin e shtetit ligjor në Kosovë, luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, përmirësimin e gjendjes ekonomike si "hapa qendrore për forcimin e perspektivës europiane të Kosovës." Por ajo thekson veçanërisht "dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë" si detyrat e rëndësishme të qeverisë së re.
Në urimin për zotin Kurti, kancelarja gjermane thekson edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë në këtë rrugëtim të Kosovës drejt Bashkimit Europian. "Qeveria gjermane do të vazhdojë edhe më tej t'iu mbështesë në këtë rrugë."
"Gëzohem t'u pres në Berlin dhe iu uroj fat e suksese në realizimin e detyrave para jush", e përfundon Merkel urimin e saj për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ftesa i është dorëzuar sot kryeministrit Kurti nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt. Ky i fundit nuk ka bërë të ditur ndonjë detaj lidhur me datën e mundshme të takimit, por përmes një postimi në Twitter ka thënë se është i lumtur që po ia dorëzon Kurtit urimet dhe ftesën e Merkelit. Duke përmendur luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në fund edhe përmbylljen e dialogut, Heldt është shrpehur se qytetarët e Kosovës meritojnë zhvillim./ DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë