Futboll

Merkato kuqezi/ Nedim Bajrami ndiqet nga Bolonja, mund të luajë në Champions

Gazeta Si – Disa nga lojtarët e Kombëtares shqiptare janë në fokusin e disa klubeve të mëdha europiane. Mario Mitaj është për momentin emri më i lakuar në merkato. Ka një vëmendje të shtuar për mbrojtësin e majtë të Kombëtares, pas interesimit të Juventusit.

Por nuk është vetëm ai. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, në miqësoren mes Shqipërisë dhe Kilit, që u luajt në Parma disa ditë më parë, përfaqësues të Bolonjës kanë vëzhguar Nedim Bajramin. Fantazisti kuqezi luan për Sasuolon aktualisht dhe po kalon një moment të vështirë si ai, ashtu edhe skuadra.

Xhovanni Sartori, drejtori sportiv i Bolonjës, e ka piketuar Bajramin si një përforcim të mundshëm për të ardhmen. Futbollisti 25-vjeçar është nga ata që përshtaten në disa role dhe do të ishte një element i dobishëm për Bolonjën, që ka shanse të mëdha të shkojë në Champions këtë sezon.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Tiago Mota mban vendin e 4-t pas 29 javësh kampionat në Serinë A. Tani mbetet për t’u parë, nëse Bajrami është thjesht një kandidat për Bolonjën, apo ka diçka më shumë. Mesfushori-sulmues e ka pasur momentin e tij më të mirë tek Empoli, kurse te Sasuolo nuk ka qenë në nivelin e tij të zakonshëm.

Bajrami ka qenë një nga titullarët më të rëndësishëm të Kombëtares në kualifikueset e Europianit, në rolin e fantazistit, por edhe si sulmues i majtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë