Merkatoja e dimrit ka pasur pak lëvizje deri tani. Gjithsesi, klubet e Superiores nuk janë dorëzuar dhe sot ishte Kukësi që zyrtarizoi afrimin e një futbollisti të huaj. Ai është Rolandas Baravykas, mbrojtës i krahut të djathtë që është pjesë e kombëtares së Lituanisë.
“Rolandas Baravykas është zyrtarisht futbollist i Kukësit, Mbrojtësi lituanez ka firmosur kontratën me klubin tonë deri në verën e vitit 2022. Baravykas është futbollist i kombëtares lituaneze, ku është aktivizuar në 20 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Ai ishte në "Air Albania" në ndeshjen që kombëtarja shqiptare luajti ndaj Lituanisë, por për arsye shëndetësore nuk u aktivizua”, - shkruan klubi kuksian në njoftimin zyrtar për afrimin e këtij lojtari.
Kukësi përforcon kështu krahun e djathtë të mbrojtjes, por nuk e ka mbyllur merkaton. Baravykas është një lojtar me përvojë. Në vendin e tij ka luajtur me ekipet Atlantas dhe Zalgiris, ndërkohë që sezonin e fundit ishte pjesë e qipriotëve të Nea Salamis.
Dy ditë më parë ishte Tirana që firmosi me një sulmues që luan me kombëtaren e Finlandës. Tani do të jetë fusha që do të tregojë se sa cilësi do t’i japin këta lojtarë skuadrës së tyre të re dhe kampionatit shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.