Merkatoja në hyrje e Milanit mund të mos jetë mbyllur ende. Ashraf Lazar, ish-mbrojtësi i majtë i Palermos, Beneventos dhe Kozencës, ka prishur kontratën me Njukasëllin dhe tashmë është lojtar i lirë, kështu që klubi kuqezi mund ta marrë me parametra zero.
Futbollisti maroken, i monitoruar nga drejtuesit e Milanit, mund të bëhet zëvendësuesi i Teo Hernandezit në organikën e trajnerit Stefano Pioli. Pas Manxhukiçit, Meites dhe Tomorit, Milani mund të kompletojë “poker”-in në merkaton e dimrit. Me Dalot, i cili preferon të luajë në të djathtë, mungon një zëvendësues për Hernandezin dhe ky boshllëk mund të mbushet me Lazarin, një operacion “low-cost”.

Milani ka qenë ndër klubet më aktive në merkaton e dimrit. Ecuria e mirë e skuadrës që kryeson Serinë A i ka bërë drejtuesit që të këmbëngulin më shumë në merkaton e dimrit për të dubluar çdo rol, në mënyrë që Milani ta ruajë këtë pozicion deri në fund. Në shumë ndeshje trajneri Pioli ka pasur shumë mungesa për shkak të Covid-19, dëmtimeve të ndryshme dhe kartonëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.