Politike

Meidani: Lleshi nuk u dekretua prej konfliktit Rama-Meta

Ish-presidenti Rexhep Meidani me anë të një postimi në rrjetin social Facebook shprehet se konflikti mes Kryeministrit dhe Presidentit solli mosdekretimin e Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm.

Ai thekson se para propozimeve për ministra duhet të zhvillohen konsultime paraprake mes Edi Ramës dhe Ilirr Metës. Meidani që ka qenë presidenti i Republikës nga viti 1997-2002, e sheh pikërisht në këtë këndvështrim arsyen e mos dekretimit të Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

“Teknologjia” e dekretimit për rastin e emërimeve të ministrave ka qenë e tillë që e shmangte një situatë si kjo fundit: paraprakisht realizohej një shkëmbim mendimesh dhe kandidaturash midis Kryeministrit dhe Presidentit, pastaj dërgohej propozimi për dekretim nga Presidenti.

Po kjo praktikë vlente dhe për emërimin e kryetarit të SHISH-it. Një praktike e ngjashme zhvillohej për emërimin e ambasadorëve, por diskutimi paraprak bëhej me Ministrin e Jashtëm. Po e njëjta teknologji zhvillohej dhe për emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, Prokurorit të Përgjithshëm, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por tani konsultimi paraprak kryhej me Kuvendin, ose të paktën me grupimin apo grupet që garantonin shumicën e nevojshme”, shkruan ish-presidenti në Facebook.

Më tej ai shkruan se koncepti i konsultave duhet të funksionojë sërish ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta.

“Kam parë interpretime të ndryshme analistësh e gazetarësh po shumica ka pasur një lexim të gabuar të procedurave të tilla. Ideja kryesore në atë kohe ishte që të shmangeshin konfliktet midis institucioneve kryesore. Po ky koncept duhet të funksionojë edhe sot, aq më tepër që mirëkuptimi duhet t'i shërbejë ecurisë normale institucionale. Tjetër gjë është kur arsyet janë tepër të forta për një kandidaturë konkrete. Por kjo gjë kërkon një argumentim serioz. Problemi i sotëm është akoma më shqetësues në mungesë të Gjykatës Kushtetuese”, thekson ish-presidenti.

Gjatë kohës që Meidani ishte president ka pasur jo pak përplasje me kryeministrin Fatos Nano në lidhje me çështjen e emërimeve apo të shkarkimeve të ministrave. Tetë propozime për lëvizje ministrash ishin arsye e konfliktit ndërmjet Meidani dhe Nanos, ku propozimet për dekretime mbetën pezull për një kohë të gjatë. Madje Nano qeverisi për disa muaj me zëvendësministra, gjersa presidenti u bind të firmoste emrat e ministrave. Ndërsa jo pak përplasje mësohet se ka pasur edhe sa i përket kreut të SHISH, ku kryeministri Nano kërkonte që të shkarkonte Fatos Klosin nga posti i shefit të shërbimeve sekrete, gjë që refuzohej nga ana e presidentit.

Pikërisht ky konflikt bëri që PS dhe PD të ndryshonin Kushtetutën duke përcaktuar afatin që presidenti duhej të shprehej brenda 7 ditësh për propozimin e kryeministrit për emërim ministrash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë