Libra

“Mëhalla e grave”, një histori imagjinare e Shkupit

Nga Luljeta Nelallari - "Mëhalla e grave" është romani më i ri nga shkrimtari i njohur Kim Mehmeti, botuar nga Shtëpia Botuese “Agora”.

Një histori tërheqëse, një ‘mëhallë’ e madhe, e zhurmshme, me gra që thurin pikërisht historinë e një vendi vjen e rrëfyer me mjeshtëri nga shkrimtari Mehmeti.

Kim Mehmeti në këtë roman të ri ka ditur të shpalosë mjeshtërisht tri kohët: të djeshmen, të sotmen e të ardhmen brenda një lagjeje që ka ligjet dhe rregullat e veta, ka botën e vet...

Gruaja është në qendër të një shkuare, por siç e thotë edhe vetë shkrimtari “një e shkuar imagjinare”, që vjen përmes betejash, sfidash, triumfesh dhe që të shtyn pashmangmërisht drejt thellësive të shpirtit njerëzor, të ekzistencës sonë në përgjithësi.

Në një intervistë për Gazetën “Si”, shkrimtari Kim Mehmeti rrëfen detaje të këtij romani, mënyrën se si gërshëtohen e shkuara dhe e ardhmja, rolin e gruas në një fshat, mëhallë, shoqëri të tërë, kujtesën individuale dhe kolektive.

“Mëhalla e grave” është libri juaj më i fundit, pse keni zgjedhur pikërisht gratë për t’i trajtuar në këtë roman?

Në këtë roman merrem me të shkuarën e Shkupit, por me të shkuarën që nuk mund ta gjesh në asnjë libër të historisë, me të kaluarën që më së miri është shkruar në mbëmendjen e grave. Pra merrem me historinë imagjinare të Shkupit, pa të cilën është jo e plotë ajo e shkruara nëpër monografi e libra të historisë.    

Romani "Mëhalla e grave" nga Kim Mehmeti

Libri është përfunduar në kohën e pandemisë, si ka ndikuar kjo periudhë në trajtimin e këtij libri?

Ka vite që këtë libër e shkruaj në kokën time. Në të vërtet ashtu i shkruaj librat e mi: në imagjinatën time, e që pastaj të rrjedhë në letër thuajse pa asnjë ndërhyrje. Andaj mund të them se periudha e pandemisë kur u finalizua ky roman nuk kishte ndonjë ndikim në përmbajtjen, sa në disponimin tim.

Në ç’vend zhvillohen ngjarjet?

E thashë edhe më lart: ky libër ka të bëjë me të shkuarën e Shkupit. Më saktë me të vërtetë se edhe vendbanimet, njësoj si njerëzit, kanë fytyrën, karakterin, shpirtin dhe të shkuarën e vet. Fytyra e tyre janë ngrehinat mbi tokë dhe shpeshherë, njësoj si njerëzit, edhe vendbanimet, e zbukurojnë apo e mbulojnë pamjen e jashtme, bëjnë çmos të mos shihen shëmtitë e tyre.

E “Mëhalla e grave”, për të cilën shkruaj në këtë roman, është një nga ato lagje që e shpalos fytyrën e vërtetë të së shkuarës së vendbanimit ku ndodhet. Por, siç e thashë më lart, bëhet fjalë për të shkuarën e   ‘shkruar’ në mbëmendjen e banoreve të saj, për kujtesën që me dekada e shekuj është përpunuar në “punëtorinë” e quajtur imagjinatë!

Çfarë përfaqëson një grua në shoqëri, si e ndryshon ajo botën?

Gruaja është ‘fole’ ku ngjizet jeta dhe ajo është kujtesa e lindjes. Me vetë atë ajo i jep kuptim jetës së një shoqërie.    

A është ky roman një udhëtim në histori dhe si pasqyrohet rruga e grave në të ardhmen?

Ky roman është rrugëtim nëpër shtigjet e së shkuarës, por shtigje që të mundësojnë më qartë t’i shohësh udhët e të sotmes.

Dhe këtij rrugëtimi i prijnë gratë. Pra siç e hapin rrugën e jetës, ato e mirëmbajnë edhe udhën e mbëmendjes për të shkuarën tonë.

Si janë pritshmëritë tuaja për këtë roman?

Autori beson në atë që shkruan dhe boton. Por ky besim nuk vlen gjë nëse atë nuk e mbështesin lexuesit. Shkurt e shqip: autori e lind veprën, por asaj i japin jetë lexuesit.    


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë