Politike

Mediu zbulon detaje nga marrëveshja: U vlerësua pesha e gjithësecilit

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zbuloi detaje nga marrëveshja e firmosur me PD.  

 “Në këtë marrëveshje janë vlerësuar dhe konsideruar dy qëndrime të Partisë Republikane, të cilat kanë qenë dhe kriteret që ne të gjithë së bashku i kemi diskutuar si kriteret më të drejta në ndërtimin e një koalicioni, që është kriteri i vlerësimit të peshës elektorale të partive politike, pra proporcionalitetit në qarqe dhe nivel kombëtar të peshës elektorale të partive politike, në mënyrë që në procesin e ardhshëm elektoral të mos kemi vetëm një forcë politike që mund t`i bashkangjiten forca të tjera, por të kemi një aleancë qytetare, një aleancë politike dhe një vend për gjithësecilin aktivist, kandidat të partive politike, për të arritur maksimumin e votave dhe maksimumin e mandateve në këtë proces.

Ne diskutuam në parim me Partinë Demokratike dhe disa çështje që janë të interesit të përbashkët ose që vlerësojnë në mënyrë të përbashkët finalizimin e vendimit përfundimtar për ndarjen e kandidatëve sipas zonave zgjedhore”, tha Mediu.

Kryerepublikani tha se gjatë firmosjes së marrëveshjes janë marrë parasysh rezultatet zgjedhjeve 2009 – 2013.

“Brenda kësaj jemi po ashtu të hapur me njëri-tjetrin të diskutojmë se cilët janë kandidatët më efektivë në dy partitë tona, për të arritur në nivelin më të lartë të votave, dhe mundësinë për të shtuar mandatet, sepse qëllimi i Partisë Republikane është fitorja e shqiptarëve në datën 25 prill dhe fitorja e këtij koalicioni opozitar”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë