Politike

Mediu: Çdo moment që kalon, në dëm të opozitës

Për kryerepublikanin, Fatmir Mediu, nuk ka kohë për tu humbur nga opozita

“Çdo moment që kalon, është në dëm të opozitës shqiptare. Opozita shqiptare duhet të vijë në radhë të parë, në një marrëdhënie të re me shqiptarët, në një marrëdhënie për të bashkuar shqiptarët, për të bashkuar veten.

Mënyra për të bashkuar shqiptarët është për të krijuar ide të qarta dhe qëndrime të qarta, se çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet ta ndryshojmë këtë realitet, duke u nisur nga eksperiencat e vjetra, pozitive, por duke ndërtuar dhe marrëdhënie të reja...”, tha Mediu.

Gjëja e parë që ka nevojë opozita, sipas tij, nuk është dalja me një apo me dy koalicione.

“Por të krijojë një marrëdhënie të qenësishme politike me qytetarët, nëpërmjet një kontrate të qartë politike, dhe një kontrate morale, që përcakton detyrimet tona si politikanë, përballë qytetarëve shqiptarë, për të realizuar të gjitha ato që janë detyrimi ynë karshi qytetarëve, në respektim të lirive dhe të drejtave të tyre, për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, për të krijuar mundësi punësimi, për të mbështetur biznesin, për të krijuar reforma të rëndësishme, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, për të garantuar që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, brenda katër vjeçarit të parë, ashtu siç e bëmë në vitin 2005 vend anëtar të NATO-s, brenda një katër vjeçari...”, shtoi ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë