Jete & Stil

Meditimi nuk funksionon për të gjithë dhe për këtë ndikon mjedisi

Ndërsa meditimi dikur ishte një term i njohur vetëm nga adhuruesit e përkushtuar të jogas, forma e meditimit është rritur në popullaritet në vitet e fundit.

Meditimi përfshin uljen në heshtje dhe përqendrimin në mendimet tuaja në momentin aktual dhe thuhet se ndihmon në uljen e ankthit, stresit dhe depresionit.

Tani, një studim ka treguar se këto përfitime të shëndetit mendor nuk funksionojnë për të gjithë.

Studiuesit nga Universiteti i Kembrixhit thonë se nuk duhet të supozojmë se meditimi funksionon për të gjithë dhe theksojnë se stërvitja mund të jetë po aq efektive për disa.

Provat e kontrollit të rastësishëm (RCT) janë kryer në të gjithë botën për të përcaktuar nëse është kështu, por rezultatet kanë ndryshuar.

Tani, studiuesit kanë rishikuar këto studime për të dhënë më shumë 'konkluzione të forta'.

“Për një person mesatar meditimi është më mirë sesa të mos bësh asgjë për të përmirësuar shëndetin mendor, veçanërisht kur bëhet fjalë për depresionin, ankthin dhe shqetësime të tjera psikologjike por ne nuk duhet të supozojmë se funksionon për të gjithë, kudo.” thotë Julieta Galante, një nga studiueset.

Njerëzit shpesh praktikojnë meditimin në mjediset e komunitetit siç janë universitetet, vendet e punës ose kurset private.

Studiuesit kryen disa prova ku morën pjesë 11.605 persona të moshës 18 deri 73 vjeç që medituan në 29 ambiente të ndryshme.

Studiuesit zbuluan se në shumicën e rasteve meditimi në të vërtetë reduktonte ankthin, stresin dhe depresionin në krahasim me të qëndruarit pa bërë gjë.

Por në më shumë se në 15 ambiente, nuk funksionoi.

“Kurset e meditimit të komunitetit duhet të jenë vetëm një opsion ndër të tjera dhe diapazoni i efekteve duhet të hulumtohet ndërsa kurset zbatohen në mjediset e reja.

“Kurset që funksionojnë më mirë mund të jenë ato që u drejtohen njerëzve që janë më të stresuar ose në situata stresuese, për shembull punonjësit e shëndetësisë, pasi duket se shohin përfitimin më të madh.” thotë Galante.

Kur u krahasua me aktivitete të tjera siç janë ushtrimet, meditimi  nuk ishte më efektiv, zbuluan gjithashtu studiuesit.

Bashkëautor profesori Peter Jones tha se ndërsa meditimi është shpesh më i mirë se të mos bës asnjë veprim, u zbulua se mund të ketë mënyra të tjera efektive për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien tonë mendore, siç është stërvitja.

“Në shumë raste, këto mund të provojnë të jenë alternativa më të përshtatshme nëse ato janë më efektive, kulturore më të pranueshme ose janë më të realizueshme. Lajmi i mirë është se tani ka më shumë mundësi.” tha Jones.

Ndërsa efektiviteti i kurseve në internet ende nuk është përcaktuar, studimi paraprak tregon se ato funksionojnë, pavarësisht nga mungesa e kontakteve të drejtpërdrejta.

"Ne kemi nevojë për më shumë hulumtime para se të jemi të sigurt në lidhje me efektivitetin dhe sigurinë e tyre por gjithsesi deri tani duket se funksionon."

Faktorë të tjerë mund të jenë përgjegjës për ndryshimin e suksesit të meditimit në lidhje me mjedisin.

Për shembull, ku dhe nga kush zbatohen kurset ose kujt i drejtohen ata, ka të ngjarë të ketë një ndikim.

“Teknikat dhe ‘kornizat’ e mësuara me vetëdije kanë formime të pasura dhe të larmishme, nga psikologjia e hershme budiste dhe meditimi deri te neuroshkenca kognitive dhe mjekësia.

Ndërveprimi midis të gjithë këtyre faktorëve të ndryshëm mund të pritet të ndikojë në sa efektiv është një program meditimi.” tha Galante.

Studimi u botua në revistën PLOS Medicine. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë