Analize

Mediat serbe: Vuçiç “dështoi me sukses” në Kosovë

Edhe pse shkeli në tokën shqiptare si nismëtar i paqes, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u kthye në Beograd me një humbje të madhe që i rëndonte mbi shpatulla. Vizita e tij në Kosovë kishte dështuar, mediat serbe e kishin “kryqëzuar”, ndërkohë që shqiptarët kishin treguar se, ndryshe nga qeveritarët e tyre, nuk do të “lëshonin pe”.  Të gjithë prisnin zhvillime të mëdha nga vizita dy-ditore në Kosovë, por Vuçiç “u vuri shkelmin” negociatave me Presidentitn Hashim Thaçi për shkëmbimin e territoreve, duke deklaruar nga Mitrovica, se Beogradi dhe Prishtina janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.

Kreut serb dhe Prishtinës zyrtare i doli situata nga duart pasi veteranët e luftës çlirimtare të Kosovës bllokuan rrugën që lidh Skënderajn me fshatin Banjë, i banuar nga serbët dhe pjesë e agjendës së ndalesave të Presidentit Vuçiç. Pavarësisht se kanë këmbëngulur vazhdimisht se do të punojnë për të ardhmen europiane, kreu serb dhe qeveria e Kosovës u përballën edhe njëherë me plagët e vjetra, pasi protestuesit deklaruan se Vuçiç nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga Beogradi.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Shqiptarët e Kosovës bllokojnë rrugën në fshatin Vojtesh,në Kosovë,

Duke u nisur nga avancimi i negociatave, disa ekspertë perëndimorë prisnin që Vuçiç të kërkonte falje, por kjo nuk ndodhi. Ai iu rikthye sërish deklaratave nacionaliste duke theksua nga Mitrovica e Veriut se Beogradi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke bërë kështu një hap pas nga negociatat për marrëveshjen përfundimtare.

Pas një vizite “triufuese” në liqenin e Ujmanit, nga ku deklaroi se do të bentë të pamundurën për ndërtimin e urave  mes shqiptarëve dhe serbëve, Vuçiç u nis drejt fshatit Banjë, ku e priste një “surprizë” e hidhur. Ish anëtarët e UÇK-së, kishin bllokuar rrugën, duke vendosur një kamion dhe turra drunjsh, të cilëve iu vu flaka në momentin që pritej të afrohej autokolona e Presidentit serb, e parashikuar që të shkonte në fshatin Banjë rreth orës 10:00 të dielën. Përpjekjet e Policisë së Kosovës për të zhbllokuar rrugët dështuan dhe ajo njoftoi për mediat se ja kishte ndaluar Vuçiçit vizitën në Banjë. Kjo nuk e ndali kreun serb të nisej drejt fshatit, por policia nuk e lejoi të vazhdonte rrugën për çështje të sigurisë.

Vuçiç u shpreh i revoltuar, duke i konsideruar protestat e veteranëve si kërcënim që tregonte sipas tij se “shqiptarët nuk do të ndryshojnë kurrë”. Ndërkohë, mediat në Serbi e paraqiten dështimin e presidentit për të vizituar një prej trevave të përcaktuara në agjendë si një skandal të përmasave të mëdha. Ky dëshmim duket se e përndoqi atë edhe në fjalimin para serbëve në veri të Mitrovicës, ku u shpreh dhe njëherë se Beogradi nuk do ta njohë Kosovën dhe se do ruante atë që mundej nga vendi fqinj. Duke folur para serbëve të Mitrovicës, Vuçiç u premtoi atyre mbështetje të plotë. Ai tha ndër të tjera se ka guxim të luftojë për popullin e vet për një të ardhme më të mirë.

“Do të bëj gjithçka. Le të më quajnë tradhtar. Dy gjëra nuk do t’i bëj, nuk do ta gënjej popullin tim dhe nuk do të punoj kundër shtetit tim. Ju them se ata që e thonë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”.

Presidenti serb Aleksander Vuçiç mban një fjalim në qendër të qytetit të Mitrovicës,


Por ndryshimi më i madh në qasjen e politikës së jashtme erdhi kur presidenti serb mohoni raportet për ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë . “Kur ju thonë se dua t’i ndryshoj kufijtë nuk është e vërtetë. Dua të ruaj gjithçka që është e mundur nga Kosovë, pasi situatën nuk e kemi njësoj si para 30 viteve” ,theksoi ai.

Aleksandër Vuçiç deklaroi gjithashtu se Serbia po bëhet çdo ditë e më e madhe dhe këtë për shkak se nuk është në konflikt me askënd dhe gëzon mbështetjen e gjithë botës.

“Sot, kemi më shumë se kurrë mbështetjen e botës. Faleminderit miqve tanë nga Rusia të cilët politikisht ishin me ne kur nuk ishte askush tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse ne mund të zgjedhim të ardhmen tonë dhe të themi se nuk duam të hyjmë në NATO sepse duam të mbajmë neutralitetin tanë ushtarak”.

Vizita e presidentit në Kosovë vjen pas një debati të madh jo vetëm në Beograd dhe Prishtinë, por edhe në ambientet politike ndërkombëtare, për shkak të raporteve se Vuçiç dhe Thaçi po përgatiten për shkëmbime territoresh. Megjithatë, gjithçka u bllokua pasi presidenti serb, refuzoi pak ditë më parë të ulej në tryezën e bisedimeve homologun kosovar në Bruksel. Shumë ekspertë të BE-së shpresonin se vizita në Kosovë do të shërbente si një urë lidhëse për të afruar më tej të dyja palët, po ajo duket se Vuçiç dhe Thaçi kanë mbetur tanimë të zemëruar, secili në “bregun e tij”.  Protesta e shqiptarëve të Drenicës është kritikuar ashpër nga mediat dhe zyrtarët e Beogradit.  “Mirëpritja e jashtëzakonshme në Mitrovicë, pas sjelljes së turpshme të shqiptarëve në fshatin Banje, konfirmoi se serbët e Kosovës i besojnë presidentit të Serbisë”, shkruan “B92”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç viziton liqenin e Ujmanit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha në reagimin e saj se incidentet "tregojnë edhe njëherë sesa komplekse është situata në Kosovë", duke akuzuar shqiptarët për mos respektimin e marrëveshjeve të arritura. Kreu i Delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, tha nga ana tjetër se anulimi i vizitës së Vuçiçit në Banjë kishte përkeqësuar marrëdhëniet mes dy vendve.

Fatmir Sheholi, një analist nga Prishtina, tha ndërkohë se Vuçiç duhet të konsultohet me njerëz të mirëinformuar, para çdo vizite në Kosovë, sidomos kur planifikon të shkojë në rajonin e Drenicës, ku janë kryer edhe krimet më të mëdha kundër popullsisë shqiptare.

"Mendoj se ai ka marrë përgjigjen që meritonte. Asnjë lider serb nuk mund të shkelë në atë rajon pa kërkuar falje”, theksoi ai. I pyetur për të komentuar për mesazhin e Vuçiçit se nuk do të "nënshkruante pavarësinë e Kosovës", Sheholi tha: "Nëse Vuçiç nuk dëshiron të njohë pavarësinë e shqiptarëve, gjë për të cilën dyshoj, atëherë Perëndimi duhet t'i tregojë atij se dera e BE për Serbinë quhet "pavarësia e Kosovës". 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë