Analize

Mediat serbe: Rama dhe Haradinaj duan të krijojnë Shqipërinë e Madhe!

Edhe pse ka qëndruar i heshtur ndaj diskutimeve për ndryshimin e kufijve të Kosovës, kryeministri shqiptar ka shpërthyer të hënën ashpër kundër Serbisë, BE-së dhe të gjitha fuqive të tjera që po cenojnë sipas tij sovranitetin e Kosovës.

Mbledhja e dy qeverive në Peje ka nxjerrë në pah zhgënjimin e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare për refuzimin në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që Beogradi po hap një nga një kapitujt me BE-në.

“BE duhet të gjejë një qasje pa dy fytyra me Kosovën dhe Shqipërinë, njërës i thotë do të hapim negociatat tjetrës i thotë do të liberalizojmë vizat, ndërkohë që ne kemi një fytyrë atë kuqe e zi”, u shpreh Rama. “Na e bënë kokën dhallë, kaloni demarkacionin, kaloni demarkacionin, ndërkohë që Serbia pa njohur Kosovën po hap kapitujt e anëtarësimit . Ne jemi të vegjël, krahasuar me vendet e tjera, por jemi gjallë nuk kemi vdekur akoma. Mos të na tregojë përralla miqtë tanë europianë, mos të na kërkojnë më shumë seç na mbajnë gjunjët, ndërkohë që Serbinë vazhdojnë ta përkëdhelin në një mënyrë të papranueshme. Serbia nuk është viktima, Kosova është viktimë” 


Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

Këto deklarata duket se kanë rënë si “bombë me sahat” në Serbi, ku shumica e mediave kanë shpërthyer duke aluduar se Kosova dhe Serbia do të bashkohen në një shtet të vetëm. Nga ana tjetër, fotot e Ramës dhe Haradinaj duke bërë me duar shqiponjën dykrenore janë shpërndarë gjerësisht nga mediat në Beograd dhe janë cilësuar si një provokim i hapur ndaj serbëve.

Gazeta serbe “Novosoti”, e konsideron takimin e dy qeverive në Pejë si hapin e parë për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

“Ndërkohë që vendos barriera tregtare me Serbinë dhe kundërshton rregullat e CEFTA-s dhe Brukselit, Prishtina mbajti një takim të përbashkët me qeverinë e Shqipërisë për eliminimin e barrierave dhe kufijve, një hap drejt realizimit të idesë së Shqipërisë së Madhe dhe, në fakt, një përpjekje për bashkimin e Kosovës dhe Metohisë me këtë shtet”, shkruan gazeta. Duke komentuar lëvizjet e fundit të Prishtinës dhe Tiranës, “Novosoti” raporton se Shqipëria po punon fort për eliminimin e kufijve me Kosovën me qëllim bashkimin e dy vendeve.

“Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj dërguan në fund të një takimi të përbashkët mes dy qeverive një mesazh të tmerrshëm në Serbi! Të gjithë së bashku ata formuan simbolin e shqiponjës dykrenore në qytetin më të shenjtë të Serbisë”, shkruan nga ana tjetër gazeta “Kurir”. “Shqiponja me dy koka shihet si fyerja më e madhe për serbët dhe dihet mirë se kur shqiptarët dëshirojnë të provokojnë serbët, bëjnë këtë simbol”, vazhdon më tej gazeta.

Ndërkohë “Kurir” flet për një tjetër provokim nga Rama dhe Haradinaj. Sipas saj dy kryeministrat kishin vendosur në xhaketë një gjashtëkëndësh në formën e yllit të Davidit për të provokuar Beogradin.

Foto e gazetes serbe L'Espresso 

“Kryeministrat e Shqipërisë dhe të ashtuquajturës Republika e Kosovës u takuan sot në një sesion të përbashkët të dy qeverive në qytetin shenjtë serb të Pejës, ku të dy provokuan duke vendosur një simbol serb”, shkruan gazeta. “Siç e tregojnë fotografitë të gjithë anëtarët e të ashtuquajturës qeveria e Kosovës, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj kishin vendosur në xhaketa një simbol në formën e një gjashtëkëndësh”. 

Sipas një tjetër gazete serbe, “L’Expresso”, kjo është një stemë që lidhet me Gjergj Kastriot Skënderbeun. “Gjashtëkëndëshi ka qënë prej kohësh i lidhur me Skënderbeun, një nga heronjtë më të mëdhenj të shqiptarëve me origjinë serbe. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Rama, Haradinaj dhe të tjerët e dinin se po mbanin stemën e Serbisë ose nëse ky është akti i fundit i një serie provokimesh”, shkruan gazeta.

Një tjetër deklaratë që ka bërë bujë të jashtëzakonshme në mediat serbe ishte përdorimi i shprehjes “What the fuck”, të cilën shumë nga analistët serbë duket se e kanë komentuar si sulm të drejtpërdrejtë ndaj Beogradit.

“Duke folur pas një sesioni të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në Pejë, kryeministri shqiptar përdori një fjalor të turpshëm duke thënë ‘What the fuck’", shkruan gazeta serbe “B 92”.

“Beogradi ka qënë gjithmonë i qartë dhe i ndershëm në Dialogun e Brukselit. Por duke rreshtuar një sërë kritikash në kurriz të Serbisë, Rama përmendi rastin kur një ministër i Serbisë pretendohet se kërkoi që të hiqej termi ‘Republika e Kosovës’ nga një takim europian. Rama tha se BE-ja duhet të thoshte What the fuck”, vazhdon gazeta. “Ai e bëri gjithë këtë kritikë me një fjalor të papërshtatshëm, duke përdorur fjalën e turpshme në anglisht”, shkruan “B92”. 

 Ky reagim erdhi pasi kryeministri Edi Rama ka treguar gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë një bisedë që i ka treguar ministri kosovar. Ministri i Punës në Kosovë i ka treguar Ramës se si Serbia përpiqej të bindte përfaqësuesit e BE në Beograd që të hiqnin fjalën ‘Republika e Kosovës’ nga fjalimi që pritej të mbahej të nesermen në një aktivet ku merrte pjesë edhe shteti i Kosoves. “Ministri i Punës dhe mirëqenies sociale të Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd deri në dy të natës me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqej fjala Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët, ku edhe Kosova ishte e pranishme. What the Fu*k do thuhej në gjuhën e Parlamentit Evropian.”- tha Rama.

Foto e gazetes serbe 'Kurir'

Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e ka konsideruar këtë takim si hipokrizi. “Prishtina nuk do të lejojë asnjë nga zyrtarët shtetërorë në Serbi në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Por ajo po planifikon një takim të përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë për të hequr kufijtë dhe barrierat. Ky është kulmi i hipokrizisë, jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe në Shqipëri, por edhe për ata që e lejojnë”. Me këto fjalë, presidenti ka konfirmuar të dielën lajmin se Kosova kishte përgatitur një listë të zyrtarëve më të lartë të Serbisë të cilat nuk do të lejohet në hynë në Kosovë.

“Pavarësia e dytë” e Kosovës

Uniteti i përgjithshëm shoqëror dhe politik nuk është diçka e zakonshme në historinë politike të Kosovës.

Megjithatë, shqiptarët e Kosovës kanë përqafuar në masë të madhe vendimin e fundit të qeverisë për të vendosur një taksë doganore për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Vendimi i kësaj jave erdhi pasi kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se Serbia kishte cenuar sovranitetin e Kosovës dhe kishte lobuar kundër saj në skenën ndërkombëtare.

Megjithatë, BE-ja dënoi vendosjen e tarifave dhe u kërkoi autoriteteve të Kosovës t'i "heqin menjëherë" duke arsyetuar se ky veprim bie në kundërshtim me rregullat e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA. 

Kryeministri Ramush Haradinaj 

Qeveria e Kosovës duket se qëndron e vendosur pasi Haradinaj pretendoi se Kosova do të revokojë taksën doganore vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën si një shtet sovran.

Për shumë kritikë, qëndrimi i padrejtë i BE-së ndaj Kosovës, në krahasim me sjelljen e saj ndaj Serbinë, është i dukshëm. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini nuk i ka kërkuar kurrë Serbisë që të ndalë politikën e saj agresive ndaj sovranitetit të Kosovës, të cilën shumica dërrmuese e vendeve anëtare e njohin si shtet të pavarur.

Ish-diplomatët e BE-së në Prishtinë kanë kritikuar gjithashtu trajtimin e pabarabartë dhe gjuhën e përdorur nga Mogherini. Ndërsa Mogherini preferon të mos komentojë mbi politikën penguese të Serbisë ndaj përpjekjeve të Kosovës për t'u bashkuar me organizatat ndërkombëtare, BE-ja duket se mban një reagim shumë agresiv kur Kosova “tregon dhëmbët”. Kjo “hipokrizi” bëhet edhe më e qartë kur vetë CEFTA nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj vendimit të qeverisë së Kosovë

Pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare është dobësuar ngadalë, ndërkohë që BE-ja mbështet në mënyrë të pakushtëzuar Serbinë, pavarësisht nga përpjekjet e saj të vazhdueshme për të mohuar ekzistencën e fqinjit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë