Para

Më shumë se gjysmës së investimeve të huaja në Shqipëri nuk u dihet origjina

Që nga prilli deri në fund të qershorit në Shqipëri kanë hyrë të deklaruara si investime të huaja direkte rreth 337 mln euro. Shifra e shërbyer nga Banka e Shqipërisë flet për një rekord të periudhës, të paktën që prej 2014-s kur këto të dhëna u grupuan në të njëjtin format të BSH-së.

Në tremujorin e parë të vitit kjo vlerë fiksohej pranë 293 milionë eurove. Edhe kjo shifër është më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Stoku total i investimeve të huaja në vendin tonë deri në gjysmën e parë të vitit fiksohet pranë rreth 10.3 miliardë eurove.

Por origjina e shumicës së këtyre parave është e panjohur.

Rreth 64% e fluksit total ka ardhur nga burime anonime përsa i përket origjinës së vendit. Kjo peshë që përkon me  vlerën e 215 milionë euro figuron e “fshehur” në  bilancet zyrtare të Bankës së Shqipërisë nën motivacionin “të tjera për arsye konfidencialiteti”.

Edhe ky rast është një rekord. Nga analiza e të dhënave që prej vitit 2014, mesatarja tremujore e flukseve të investimeve të huaja direkte -konfidenciale fiksohet pranë rreth 54 milionë eurove. Kurse  në tremujorin e dytë të vitit, investimet anonime nga jashtë në vendin ishin  rreth 4 herë më të larta se mesatarja e tyre historike.

Pasqyra e  Bankës së Shqipërisë,   tre mujroin e dytë të vitit, na prezanton edhe një surprizë tjetër. Ajo është Turqia. Flukset e investimeve nga  ky vend  për herë të parë kanë zbritur në territor negativ, prej rreth -91 milionë eurosh.

Historikisht, Turqia ka qenë në krye të listës së shteteve të origjinës së investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Në tremujorin e parë të këtij viti, Turqia pozicionohej në vend të tretë.
Për të dytin tremujor me radhë, investimet e etiketuara si “të tjera për arsye konfidencialiteti” renditen në krye të listës së flukseve të IHD-ve në vendin tonë. Ndërkohë, në vend të dytë ndjek Italia, e cila në tremujorin e parë renditej në vend të 5-të. Holanda pason në vend të tretë, ndjekur nga Gjermania, Austria, Kosova, SHBA, Franca, Zvicra dhe Qipro.

Fatin e Turqisë, e shikojmë të shprehur edhe në  shifrat e Serbisë e cila ka dalë nga “Top 10-shja” krahasuar me tremujorin e parë të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë