Para

Më shumë se 30 banka në Zvicër me rrezik të pastrimit të parave

Autoriteti i tregjeve financiare të Zvicrës konfirmoi se një montitorim i më shumë se 30 bankave i kryer këtë pranverë zbuloi se ‘një numër i madh’ i tyre nuk arriti të përmbushte kërkesat bazë për analizimin e rrezikut të pastrimit të parave. Autoriteti, i njohur si FINMA, tha se rishikimi u nxit nga shenja të përsëritura të mangësive në analizën e rrezikut të pastrimit të parave gjatë vizitave të rregullta në institucionet financiare.

Vlerësimi i dobët i bankave – të cilat nuk u identifikuan me emër – është i rëndësaishëm sepse Zvicra renditet në vendin e parë në mbarë botën në menaxhimin e pasurisë. Firma konsulente ‘Boston Consulting Group’, në “Raportin për Pasurinë Globale 2023” të publikuar në fund të qershorit, parashikoi që Hong Kongu është gati të eklipsojë Zvicrën si një qendër  – rezervash për pasuri deri në vitin 2025.

Zvicra ka pasur prej kohësh një reputacion të mirë për sekretin bankar, megjithëse disa ekspertë të pastrimit të parave thonë se ajo të paktën pjesërisht e ka ndryshuar qasjen e saj në vitet e fundit – si për shembull duke shkëmbyer më shumë informacione për të ndihmuar në luftën ndaj evazionit fiskal nga depozituesit.

“FINMA rishikoi analizat e rrezikut të mbi 30 bankave në pranverën e vitit 2023”, thuhet në raport. “Duke bërë këtë, u zbulua se një numër i madh i analizave të rrezikut të ekzaminuara nuk plotësonin kërkesat bazë për një analizë të tillë.”

Autoriteti përmendi “disa raste” në të cilat bankat nuk arritën të jepnin një përkufizim adekuat të tolerancës ndaj rrezikut për pastrimin e parave, gjë që do të përfshinte vendosjen e kufijve për rreziqe më të ulëta. Në thelb, autoriteti sugjeroi që shumë nga bankat duhet të bëjnë më shumë për të luftuar pastrimin e parave dhe dha udhëzime – madje edhe me një tabelë kategorish të sugjeruara – që bankat të ndiqnin.

Autoritetet në Zvicër dhe më gjerë kanë zbuluar një sërë rastesh të pastrimit të parave që përfshijnë institucionet financiare zvicerane në vitet e fundit. Në qershor të vitit të kaluar, një gjykatë zvicerane gjobiti ‘Credit Suisse’ mbi 2 milionë dollarë për dështimin në parandalimin e pastrimit të parave të lidhura me një organizatë kriminale bullgare më shumë se një dekadë më parë. Një sërë problemesh në ‘Credit Suisse’, banka nr. 2 e Zvicrës, kërcënuan të trondisnin tregjet financiare globale në fillim të këtij viti dhe çuan në marrjen nën kontroll të saj nga rivalja UBS dy muaj më parë. /Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë