Futboll

Me Shqipërinë në grup, Spanja rinovon me trajnerin Luis de la Fuente deri në 2026-ën

Gazeta Si – Spanja, kundërshtar në grup i Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë, ka rinovuar kontratën me trajnerin Luis de la Fuente. Ai do të qëndrojë në krye të kombëtares iberike deri në 2026-ën, kur luhet Botërori në Meksikë, Kanada dhe SHBA.

Federata Spanjolle e Futbollit ka firmosur propozimin e drejtorit teknik, Albert Luke, për rinovimin e trajnerit aktual edhe për dy vite të tjera, përtej Europianit të qershorit.

De La Fuente e ka marrë drejtimin e Spanjës që prej 8 dhjetorit 2022, kur zuri vendin e Luis Enrikes. Në kontratën e tij fillestare kishte një klauzolë për zgjatjen e marrëveshjes deri në 2026-ës.

Spanja, fituese e edicionit të fundit të Ligës së Kombeve, bën pjesë në të njëjtin grup të Europianit të Gjermanisë me Shqipërinë, Italinë dhe Kroacinë. Me kuqezinjtë Spanja do të luajë ndeshjen e tretë në grup. Trajneri spanjoll tashmë mund të punojë më i qetë për Europianin e qershorit, pasi ka kontratën që dëshironte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë