Lajme

Me këpucë dhe flamujt e vendeve të BE, protesta simbolike para parlamentit

Përpos protestës së paralajmëruar nga ana e opozitës me bllokimin e akseve kryesore në vend në orën 18:00, para Parlamentit u zhvillua një protestë simbolike nga të rinjtë e FRPD dhe LRI.
Ata simbolikisht kanë vendosur përpara Parlamentit 200 këpucë me flamujt e vendeve të BE, ku kanë emigruar të rinjtë shqiptarë, duke ikur nga varfëria dhe pasiguria e krijuar në vend. Po ashtu të rinjtë mbajnë në duar edhe parrull me mbishkrimin “Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin mërgimtar”.

Protesta e tyre është për të shprehur vendosmërinë e tyre se nuk kanë ndërmend të largohen nga vendi, si mijëra të rinj të tjerë dhe për të mos u dorëzuar derisa vendi të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
Ndërkohë pasdite opozita e bashkuar ka paralajmëruar bllokimin e akseve rrugore kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun e vendit me kryeqytetin rreth një orë duke nisur që nga ora 18.00.
Akset që do të bllokohen sot:
Në Elbasan, te rrethrrotullimi i Bradasheshit do të bllokohet aksi që lidh Juglindjen me Tiranën.
Në Durrës do të bllokohet autostrada Plepa-Kavajë, përballë Shtëpisë së Pushimit të Ushtrisë.
Zona e Jugut do të bllokohet në rrethrrotullimin e Sheqit të Fierit.
Protestuesit nga Veriu i vendit do të grumbullohen në Milot.
Një tjetër pikë do të jetë ajo te sheshi “Shqiponja” për të bllokuar hyrjen në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë