Lajme

Me kapsolla drejt Shqipërisë, tifozëve kosovarë u bllokohet çanta në kufi

Në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Francës, një incident është regjistruar në kufi me Kosovën.
Policia e Shtetit ka sekuestruar një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla. Policia thotë se çanta me fishekzjarrë ndodhej në një autobus që vinte me tifozë nga Kosova, për të parë ndeshjen.
Policia Kufitare e Morinës gjatë kontrollit të ushtruar së bashku me autoritetin doganor në autobusin me drejtues shtetasin kosovar B. M, gjeti një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë.
Policia thotë se kontrollet e rrepta do vijojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarre dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit të bërë paradite me grupin e punës për menaxhimin e masave të marra për mbarëvajtjen e aktivitetit ndërkombëtar, kërkoi nga të gjitha strukturat e Policisë, angazhim, seriozitet, përkushtim për përmbushjen e detyrave.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e tifozërisë dhe sportdashësve që të respektojnë me rigorozitet gjithë udhëzimet e dhëna nga Policia dhe Federata e Futbollit, dhe të mos tentojnë për të futur në stadium sende të kundërligjshme pasi do përballen me pasojat ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë