Futboll

Mbyllje stadiumesh dhe gjoba pa fund në futbollin shqiptar, zyrtari i Kukësit dënohet 2 vjet

Gazeta Si – Vendimet e kësaj radhe të Komisonit të Disiplinës dhe Etikës kanë qenë më të shumta se kurrë më parë. Dhe bëhet fjalë për dënime të të gjitha llojeve: mbyllje stadiumesh dhe gjoba për sjelljen e gabuar të tifozëve, dënime në masë për lojtarë dhe zyrtarë klubesh, madje deri në 2 vjet.

Naim Halili, zyrtar i Kukësit, është pezulluar 2 vjet nga çdo aktivitet për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Kukësi, për atë që ndodhi në ndeshjen me Erzenin, ku tifozët hynë në fushë, është dënuar me 4 ndeshje pa tifozë. Po pa tifozë do të luajë edhe Egnatia në dy ndeshjet e radhës në fushën e saj.

Skënderbeu e ka kaluar vetëm me gjobë atë që ndodhi në ndeshjen me Partizanin, ndërkohë që janë dënuar me nga 3 ndeshje 2 lojtarët që u përplasën fizikisht gjatë kësaj ndeshjeje, duke dalë me karton të kuq.

Disa nga vendimet kryesore të Disiplinës dhe Etikës
Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë dhe 2 ndeshje pa spektatorë.

Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë 100.000 lekë.

Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë dhe fyer tifozerinë mike, dënohet me gjobë 300.000 lekë. Lojtari i Skënderbeut, Dejvid Janaqi, për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 3 ndeshje pezullim.

Lojtari i Partizanit, Arinaldo Rrapaj, për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 3 ndeshje pezullim.

Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve dhe duke lejuar hyrjen e spektatorëve në fushë, dënohet me gjobë 300.000 lekë dhe 4 ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës. Zyrtari i Kukësit, Naim Halili, për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 2 vite pezullim nga të gjitha veprimtaritë.

Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Tomori, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë