Analize

Mbyllja e qeverisë, ç’po ndodh pas perdeve të Shtëpisë së Bardhë

Donald Trump u zgjodh president duke siguruar popullin amerikan se mund t’ia dalë i vetëm. Por gjatë dy viteve të presidencës, qeveria e tij ka provuar pikërisht të kundërtën.

Këmbëngulja e Trump për mbylljen e pjesshme qeverisë ka ekspozuar si kurrë më parë mangësitë e tij si president. Ai ka qenë i vendosur për sigurimin e 5.7 miliard dollarëve për ndërtimin e murit kufitar me Meksikën, por ai nuk ka bindur ende demokratët e kongresit, të cilët e quajnë murin si një projekt të pamoralshëm dhe kanë refuzuar të negociojnë për sigurinë e kufirit deri në rihapjen e qeverisë.

Mbyllja prej 30 ditësh, ndikimet e të cilave kanë filluar të ndihej në jetën e përditshme të miliona amerikanëve, po përcakton gjysmën e dytë të mandatit Trump dhe ka vendosur një themel për fushatën presidenciale të vitit 2020.

Mbyllja e qeverisë ka nxjerrë po ashtu në pah disa tipare themelore të presidencës së Trump: mungesa e tij të ndjeshmërisë për administratën dhe vështirësinë e tij për të pranuar përgjegjësinë për një krizë që kishte thënë se do të ishte krenar që e nxiti. Mbyllja e qeverisë nxori po ashtu në pah tendencën e tij për hakmarrje ndaj armiqve politikë.

Të shtunën kreu i Shtëpisë së Bardhë doli me një kompromis të ri për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë, duke propozuar tre vjet mbrojtje për emigrantët e rinj, në këmbim të financimit të kufirit kufitar. Trump e quajti një propozim të drejtë, të arsyeshëm dhe të drejtpërdrejtë, por demokratët e hodhën poshtë pa mbaruar ende fjalimin.

Ai ka përdorur pothuajse çdo mjet të zyrës së tij, përfshirë një sërë fjalimesh nga Zyra Ovale si dhe një vizitë të profilit të lartë në kufirin SHBA-Meksikë, për t’i bindur votuesit se situata në kufirin jugor ka arritur nivelet e krizës dhe mund të zgjidhet vetëm duke ndërtuar një barrierë fizike.

Presidenti Donald Trump

Këshilltarët e Trump argumentojnë se presidenti ka qenë i suksesshëm në bindjen e amerikanëve për ndërtimin e murit edhe pse përpjekjet e tij nuk kanë çuar në arritjen e një marrëveshjeje dypartiake.

Por të dhënat tregojnë një histori më shqetësuese për presidentin. Pas një muaj mbylljeje qeveritare, sondazhet publike tregojnë se Trump po humbet betejën politike. Për shembull, një studim i 13 janarit nga “Washington Post” dhe “ABC News” zbuloi se shumë amerikanë fajësojnë presidentin dhe jo demokratët për mbylljen e qeverisë.

Ndërkohë, prapa kuintave të Shtëpisë së Bardhë, disa ndihmës të Donald Trump pranojnë vështirësitë.

“Presidenti është shumë i vetëdijshëm se ai po humbet opinionin publik në këtë luftë”, tha një zyrtar i lartë i administratës.

Këshilltarët e tjerë të Trump këmbëngulin se presidenti nuk është i nxitur nga konsideratat politike dhe është përqendruar tërësisht në mbrojtjen e popullit amerikan dhe gjetjen e një zgjidhjeje për emigracionin e paligjshëm.

John McLaughlin, një zyrtar i Administratës Amerikane thotë se mbrojtja e emigrantëve që kanë arritur në SHBA kur ishin fëmijë, është çelësi për rritjen e popullaritetit të tij.

“Ne duhet t’u kujtojmë votuesve çdo ditë se presidenti është i gatshëm të bëjë kompromis dhe të japë status ligjor për emigrantët në këmbim të rritjes së sigurisë kufitare, por demokratët janë shumë intensive në përpjekjen e tyre për të mposhtur Trump”, thotë ai.

Presidenti Donald Trump

“Kjo mund të harrohet brenda javës nëse arrijmë në një marrëveshje me demokratët, hapin qeverinë dhe ndërtojmë murin “, thotë senatori republikan Neil Neëhouse. “Askush nuk e di se si do të dalim nga kjo situatë derisa të arrijmë një marrëveshjeje.

Gjatë dy viteve qeverisjeje, Trump e ka përdorur rritjen ekonomike si një kartë të fuqishme politike. Megjithatë paqëndrueshmëria në Uashington po kërcënon të shkaktojë një kërdi në tregun e aksioneve, mes shqetësimeve për një luftë tregtare me Kinën.

Menaxhimi i Trump gjatë mbylljes së qeverisë ka shkaktuar gjithashtu kritika për kompetencën e tij si ekzekutiv. Zyrtarët kanë reaguar për të mbajtur shërbimet kyçe hapur por ata frikësohen se nëse mbyllja e qeverisë vazhdon, pasojat do të jenë të paparashikueshme.

Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i lartë i presidentit është ulur së bashku me Pence dhe shefin e shtabit të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney, në negociata me ligjvënësit demokratë, për arritjen e një marrëveshjeje. Dy ndihmës të lartë republikanë thanë se senatorët janë skeptikë nëse Pence flet në emër të presidentit, pasi Trump e kritikoi publikisht disa javë më parë.

Nensi Pelosi

Sipas ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë, Trump ndërkohë ka qenë shumë i zënë duke u takuar personalisht me aleatët e jashtëm, për t’u kërkuar të dalin publikisht në televizion mbrojtje të pozitës së tij.

Presidenti po bën ditë pa u folur me kryetarin e demokratëve Nancy Pelosi , duke i lënë kështu negociatat në harresë, pavarësisht kompromisit që ofroi.

Në bisedat private me këshilltarët, Trump ankohet se askush nga demokratët nuk i ka paraqitur një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes. Ndihmësit thanë se i kanë treguar një sondazh që tregon se po humbet opinionin publik dhe se shumica e amerikanëve nuk mendojnë se situata në kufi është një krizë madhore, siç e ka quajtur ai dhe administrata e tij.

Ndërkohë, Trump ka akuzuar demokratët po tregoheshin të pandjeshëm ndaj rreziqeve të emigracionit të paligjshëm. “Ata nuk shohin krimet dhe drogën, ata vetëm shohin zgjedhjet e 2020, të cilat nuk do t’i fitojnë”, deklaroi ai të dielën. Ndërkohë Pelosi dhe demokratë të tjerë thonë se Trump është imun ndaj vështirësive të punonjësve federalë, të cilët duket se do ta mbyllin muajin pa pagesë. /Washington Post/

Më Shumë