Dosje

Mbyllet zyrtarisht dosja ‘Kacifas’, drejtësia: Ekstremisti grek është vetëvrarë

Ekspertiza e mjekëve ligjorë shqiptarë, ka arritur në përfundimin se ekstremisti grek Kostandin Kacifas është vetëvrarë. Ky është përfundimi i arritur nga Gjykata e Gjirokastrës për vdekjen e Kacifas në fshatin Bularat.

Seanca raportohet se është mbajtur më 13 dhjetor, ku Gjykata e Gjirokastrës vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Julian Çafka, për pushimin e hetimeve të regjistruara lidhur me vdekjen e ekstremistit grek, Kostandin Kacifas në 28 tetor 2018.

Në raportin e ekspertizës, thuhet se dy plagët në trupin e viktimës, janë kryer me puthitje dhe kanë faktorë plotësues, çka flet për vetëvrasje, duke përjashtuar zyrtarisht ekzekutimin e ekstremistit nga forcat policore RENEA.

Pavarësisht se vetëm pak orë pas vdekjes së Kacifas para 3 vjetësh, Policia e Shtetit, doli me një deklaratë duke marrë përsipër autorësinë e vrasjes së minoritarit grek, ekspertiza mjeko-ligjore, rrëzon totalisht versionin zyrtar të autoriteteve shqiptare.

Konkluzioni i ekspertit thotë se viktima ka dy plagë në gjoks të kryera me puthitje nga armë zjarri, me drejtim tejshkues nga para mbrapa. Në pjesën e hyrjes, evidentohen faktorët plotësuese të barutit dhe djegies së lëkurës.

Ndërsa referuar të dhënave të shpërndarjes së gjakut në trupin e kufomës, eksperti mendon se kufoma ka qenë në pozicionin vertikal në momentin e qitjes së armës.

Çështja “Kacifas” solli edhe përplasje mes Gjykatës dhe Prokurorisë në Gjirokastër. Kjo për shkak se Gjykata nuk pranoi kërkesën e prokurorisë më 11 tetor për pushimin e hetimeve për vdekjen e tij, duke e kthyer atë dhe duke urdhëruar kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore. Kacifas ndërroi jetë më 28 tetor 2018, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA.

35-vjeçari ishte pjesë e batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore, ndërsa ditën e festës kombëtare greke, që përkujton fillimin e luftës me Italinë,  qëlloi me kallashnikov ndaj një patrulle policie që ndodhej në fshat, duke rrezikuar jetën e policëve.

Pas lokalizimit nga policia në Bularat, Kacifas nuk iu bind urdhrit për të hedhur armën, duke refuzuar të dorëzohet, madje duke qëlluar me armë në drejtim të RENEA-s për më shumë se 30 minuta. Vdekja e tij shkaktoi përplasje dhe tensione diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë