Analize

Përse duhet t’i druhemi nacionalizmit grek?

“Zjarr për qentë shqiptarë!” Me flamuj në duar, pankarta raciste dhe thirrje nacionaliste, dhjetëra qytetarë greke u mblodhën mbrëmjen e së dielës, duke protestuar para Ambasadës Shqiptare në Athinë dhe Zyrës së Bashkimit Europian në Selanik. Vrasja e 35-vjeçarit  Kostandinos Kaçifas, pasi qëlloi me kallashnikov policinë shqiptare në Bularat të Gjirokastrës duket se ka hapur edhe njëherë plagët e vjetra mes Athinës dhe Tiranës.

Ngjarja e rëndë erdhi në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve duket se ishim më të ngrohta se kurrë. Ish-ministri i jashtëm Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati ishin pranë zgjidhjes së çështjes së kufirit detar mes dy vendeve dhe ishin dakordësuar për tashmë disa çështje të tjera, veçanërisht ato që ndihmojnë emigrantët shqiptarë. Por pas largimit të tij, Kotzias duket se ka marrë me vete edhe frymën e bashkëpunimit. Ministria e Jashtme greke e quajti të papranueshme vrasjen e ekstremistit grek dhe kërkoi zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Pjesë e replikave u bë edhe vetë kryeministri Rama, i cili deklaroi nëpërmjet një postimi në Facebook se pala fqinje duhet të falënderonte Zotin, që Kaçifas nuk arriti të linte pas viktima. Këtij reagimi u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë, zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos, i cili u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të shmangin retorikën agresive.

Por mediat në Athinë paralajmërojnë të tjera protesta, duke theksuar se minoritari grek u vra sepse ngriti flamurin grek. Dhe si gjithmonë ku flitet për çështje që kanë të bëjnë me vendin tonë, është i pranishëm edhe Agimi i Artë, partia neo-naziste e Greqisë, anëtarët e së cilës janë aktualisht në gjykim për vrasje dhe vepra të tjera të rënda.

Burime nga vendngjarja thonë për gazetën Si se mes protestuesve në Selanik ishin edhe tre deputetët e AA-së, Christos Papas, Nikos Lagos dhe Ilias Panagiotaros. Ndërkohë, mediat greke raportojnë së në protestën para Ambasadës Shqiptare në Athinë ishte i pranishëm edhe Nikos Mihaloliakos, kreu i Agimit të Artë.  Sipas “Protothema” e gjithë protesta është organizuar nga partia neonaziste. Qindra njerëz i janë përgjigjur thirrjeve në rrjetet sociale të “Agimit të Artë”, duke kërkuar llogari për vrasjen e ekstremistit grek.  Vetëm disa orë pas protestave në dy qytetet më të mëdha të vendit fqini, një përleshje mes disa të rinjve shqiptarë dhe grekë në Athinë, la gjashtë të plagosur. 

Për shqiptarët që jetojnë që Greqi, nuk ishte çudi që Agimi i Artë organizoi një protestë kundër vrasjes së Kaçifas, edhe pse ky i fundit qëlloi me breshëri policinë shqiptare dhe vuri në rrezik jetën e banorëve. Por çfarë ka ndodhur kur një shqiptar është vrarë nga forcat e rendit në Greqi?

Kostandinos Kaçifas

Vdekja e Ilia Karelit në vitin 2014 si pasojë e dhunë çnjerëzore të ushtruar nga gardianët grekë ishte një nga shkeljet me të mëdha të të drejtave të shqiptare në vendin fqinj. Pasi e poshtëruan duke e rrahur të lidhur dhe torturuar me mjete të forta, ai ndërroi jetë në burgun grek, edhe pse ishte dorëzuar në këtë institucion për ruajtje. Ndryshe nga Kaçifas, ai nuk hapi zjarr ndaj gardianëve greke dhe nuk rrezikoi jetën e burgosurve të tjerë, por vdiq i torturuar në një institucion që duhej të mishëronte sigurinë e jetës së njeriut. Shumë nga sociologët shqiptarë u shprehën në atë kohë se Ilia Karelin nuk e vrau një individ brenda apo jashtë burgut, por e vrau institucioni në mënyrë të organizuar dhe me paramendim.

 Shumica e sulmeve agresive dhe manifestimet anti-shqiptare në Greqi duket se mbajnë “firmën” e Agimit të Artë. Lëvizja neo-naziste pushtoi titujt mediatikë në Tiranë në vitet 2013-2014 kur me një gjuhë raciste dhe ksenofobe premtonte shfarosjen e shqiptarëve. Agimi i Artë nuk e ka ndryshuar politikën anti-ashqiptare që prej krijimit, duke u bërë protagoniste e një sërë aktesh dhune dhe paragjykimi kundër emigrantëve të vendit tonë në Greqi.

Incidenti i fundit u shënua rreth një vit më parë në Santorini, kur anëtarët e lëvizjes së ekstremit të djathtë sulmuan një nxënëse shqiptare në një shkollë fillore që mbante flamurin e Greqisë në ditën Kombëtare të vendit fqinj, gjë që solli dhe prishjen e kësaj feste. Kjo ngjarje shkaktoi reagimin e fortë të përfaqësuesve të emigracionit shqiptar në Greqi, të cilët dënuan me forcë ngjarjen e rëndë. Përfaqësues të federatës shqiptare u bënë apel emigrantëve që të fokusoheshin tek arsimimi i fëmijëve të tyre, si e vetmja mundësi rehabilitimi dhe integrimi.  Incidenti u përsërit disa muaj më vonë, kur anëtarë të lëvizjes ekstremiste protestuan në mënyrë të dhunshme kundër hapjes së një shkolle shqiptare në ishullin e Kretës. Për të gjithë u bë e qartë se në fakt, Agimi i Artë po e përdorte këtë tezë për rifitimin e terrenit të humbur, pasi disa muaj më vonë lëvizja shpërtheu me tone raciste ndaj Shqipërisë në një seancë ku do të votohej memorandumi shqiptaro-grek për integrimin e vendit tonë në BE.

Vrasja e Ilia Karelit 

Në seancën e mbajtur nga Komisioni për çështjet e jashtme, deputeti ekstremist Ilias Kasidiaris, kritikoi ashpër edhe këngëtaren greke me origjinë shqiptare që merr pjesë në festivalin Eurovizion, si dhe futbollistët shqiptarë që luajnë në Greqi, të cilët sipas tij, sapo sigurojnë të ardhura veshin bluza me simbolet e UÇK-së dhe Shqipërisë së Madhe.

“Le të rrijnë aty ku janë, njësoj si dikur kur nuk ishin askush dhe nuk kishin këpucë në këmbë. Nuk duhet të ketë asnjë bisedim me shqiptarët dhe asnjë negociatë pa marrë fund më parë politika anti-greke në Shqipëri. Agimi i Artë kërkon vendosjen e vetos për të ndaluar çdo diskutim me qeverinë e Edi Ramës për integrimin në BE”, ka thënë Kasidiaris.

Fryma anti-shqiptare u kthye sërish mbrëmjen e së dielës, kur deputetët e Agimit të Artë dhe dhjetëra qytetarë grekë protestuan mes thirrjeve të egra nacionaliste. Për shumicën e ekspertëve perëndimore, reagimi  i “turmave të zemëruara” në kontekstin e një vale populiste, ka depërtuar thellë në jetën politike greke.

Por përse grekët janë kaq nacionalistë?

Qytetarësh sulmojne kryebashkiakun e Selanikut 

Më 19 maj, një turmë qytetarësh sulmoi kryebashkiakun e Selanikut, Yiannis Boutaris, gjatë një ceremonie publike për Ditën e Gjenocidit të Pontikut. Incidenti filloi me britma dhe fyerje të tipit: “Largohu, nuk të do njeri këtu, çifut i pistë, ti anti-grek, ti ​​maqedonas, ti turk i ndyrë, tradhtar!” Më pas disa persona, duke përfshirë edhe ata që organizuan ceremoninë, filluan të shtynin kryebashkiakun. Të tjerë filluan ta godisnin me shishe plastike dhe objekte të ndryshme. Shoqëruesit dhe truprojat e tij u përpoqën ta mbronin, por turma e ndoqi deri në makinën e tij. Njerëzit e rrëzuan në tokë dhe filluan t’i gjuanin në kokë dhe stomak. Kur kryebashkiaku hyri në makinën e tij, një burrë arriti të shqyente derën dhe një tjetër theu dritaren e pasme. Ndërkohë që makina largohej, njerëzit filluan të duartrokisnin dhe brohoritnin. Vështirë se është parë një sulmi i këtij lloji.

Gjatë këtyre viteve të fundit të krizës financiare në Greqi, ka pasur disa incidente ku turma të zemëruara kanë sulmuar verbalisht apo fizikisht politikanët, emigrantë apo anëtarët e shtypit. Pa dyshim, këto sulme synonin sidomos figurat publike që u konsideruan si mbështetës të politikave shtrënguese të vendosura nga trojka (Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar). Disa komentues të profilit të lartë kanë arsyetuar se sulme të tilla janë të motivuara nga një ideologji ekstreme dhe në shumicën e rasteve kanë lidhje me Agimin e Artë.

Por partia ekstremiste nuk është fajtorja e vetme. Edhe pse anëtarët e kësaj partie kanë treguar sjellje abuzive ndaj politikanëve dhe gazetarëve, nuk mund të themi se prapa të gjitha shpërthimeve të dhunshme të qytetarëve fshihet Agimi i Artë, sidomos kur nuk ka dëshmi konkrete për të mbështetur lidhjen midis sulmeve të njerëzve të zakonshëm ose demonstruesve me anëtarët e kësaj partie.

Agimi i Arte

Boutaris është mbështetës i politikave shtrënguese dhe programit të shpëtimit, por kjo nuk është arsyeja pse ai u sulmua. Kryebashkiaku u godit për shkak se ai është liberal, anti-nacionalist, anti-racist dhe mbështetës i të drejtave të LGBT-së. Boutaris ka promovuar në mënyrë aktive Selanikun si një qytet të rëndësishëm jo vetëm në Greqi, por edhe në historinë turke dhe hebraike. Ai ka pohuar se turistët turq duhet të inkurajohen të vizitojnë vendlindjen e Kemal Ataturkut. Ai gjithashtu ka promovuar themelimin e një muzeu të Holokaustit në Selanik, në kujtim të popullatës hebraike të qytetit. Për më tepër, ai shpesh ka folur në favor të zgjidhjes së mosmarrëveshjes për emrin me Republikën e Maqedonisë. Dhe ai ka ofruar kujdesin e komunës për paradën vjetore të homoseksualëve. Këto faktorë formojë lidhjen e drejtpërdrejtë midis sulmeve kundër figurave publike dhe ideologjisë të ekstremit të djathtë.

Nacionalizmi virulent në Greqi është nxitur kohët e fundit edhe nga negociatat e detit me Shqipërinë dhe bisedimet me Maqedoninë.  Panos Kammenos, ministri i Mbrojtjes dhe gjithashtu kreu i Grekëve të Pavarur, partneri i koalicionit qeveritar, ka dalë kundër një kompromisi me Maqedoninë, si dhe ligjeve të reja për të drejtat e LGBT-së.  Udhëheqësit dhe zyrtarët e Demokracisë së Re, partia kryesore opozitare, kanë shprehur mendime të ngjashme dhe po flasin në një ton gjithnjë e më reaksionar, pavarësisht liberalizmit të vetëshpallur të udhëheqësit të tyre, Kyriakos Mitsotakis. Klima përkeqësohet më tej përmes deklaratave të priftërinjve ortodoksë, të cilët janë gjithmonë një faktor i rëndësishëm në jetën politike greke. Kushdo qoftë forca politike që mbështet reagimet e dhunshme qytetare, duhet të mbajë mend se bashkimi i axhendës ekstremiste me nacionalizminn dhe grup të madh njerëzish të pakënaqur nga kriza dhe recesioni, është gjithmonë një ide shumë e keqe.

 

Më Shumë